web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Pranga” për hetuesit, liri për të pandehurit

Të mërkurën e 30 shtatorit, kryeministri Edi Rama doli të prezantonte publikisht ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale që, sipas tij, janë hartuar nga ekspertë në Itali dhe Francë. CNA përmes disa shkrimeve ka raportuar se Kodi i Procedurës Penale përkthehet në mburojë për korrupsionin dhe krimin. Kodi i ri i Procedurës Penale vjen me qëllimin e vetëm për të amnistuar krimin dhe korrupsionin. Ky Kod i ri i Procedurës Penale nuk bën asgjë tjetër, por thjesht dhe vetëm u thotë zyrtarëve të korruptuar “vidhni më shumë”, i thotë krimit “vazhdo punën se për të mbledhur provat, prokurorët s'e bëjnë dot se nuk i lejon ligji”. Edi Rama i mbushi plot burgjet, por në emër të këtyre paraburgimeve, kryeministri ynë kërkon t’u japë shqiptarëve një Kod të ri të Procedurës Penale për të shpëtuar hajdutët e pushtetit të tij dhe krimin që ka punuar për vjedhjen e zgjedhjeve për të. Këto ndryshime të mbi 100 neneve, të prezantuara nga kreu i qeverisë para përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, më shumë vështirësojnë punën e këtyre të fundit sesa e lehtësojnë dhe më shumë sesa i dënojnë çështjet e luftës kundër krimit dhe korrupsionin, i amnistojnë ato./ CNA

6 artikuj për këtë temë.

3 DITE ME PARE

Kodi i ri i Procedurës Penale: Përndiqni, dhunoni dhe bëni korrupsion

“Pranga” për hetuesit, liri për të pandehurit

Me tri fjalë, Kodi i ri i Procedurës Penale është përgatitur nga disa profesorë akademikë europianë, të cilët duan t'i japin vendit tonë një Kod të Procedurës Penale që nuk e ka as Suedia, as Norvegjia, të cilin duan ta implementojnë në vendin më të korruptuar dhe më të kriminalizuar të Europës, siç është Shqipëria.  

Profesorët leksione japin, atë punë kanë, marrin dhe ca lekë kur vijnë në këto vendet e Ballkanit Perëndimor, ku hyn dhe Shqipëria, marrin mirë, paguhen “vendçe”, vijnë e japin dhe ca leksione, mbrojnë edhe ato para që marrin dhe na thonë se kemi bërë një Kod sipas standardeve të Europës, BE-së.

Por, në fakt, harrojnë që jemi në një Shqipëri me krim, me korrupsion, me dhunë në familje, me përndjekje dhe me një vulgaritet mjaft të madh në opinionin publik.

Kryeministri Rama na tha se do të ndryshoheshin 100 nene të Kodit të Procedurës e do të ishte ndryshe, nuk do të arrestohej kush për vepra deri në 5 vjet.

Por, në fakt, kryeministri Rama harroi një gjë

Ai harroi t'u thoshte shqiptarëve "më fal" që i ka mbushur burgjet me të paraburgosur për vepra penale që nuk duhet të hynin.  

Le të kujtojmë.

Edi Rama doli dhe tha "kush vjedh energjinë hyn në burg".

U mbushën burgjet me të paraburgosur për çështjen e energjisë, megjithëse ishte një vepër penale që nuk duhet të parashikonte fare burgun.

U vërsul policia, kapi e fut brenda. Humbën jetën njerëz, të cilët varën veten për punë e vjedhjes së energjisë.

U mbushën burgjet plot me komandën tjetër të Edi Ramës: "kush ndërton pa leje"? Vërsuluni!

Përpara policia, kapi e futi burgjeve, i mbushi paraburgimet plot me njerëz që ndërtonin avllinë, çatinë, oxhakun apo bënin një dhomë shtesë.

Kullat dhe katet në Tiranë le të shkonin nga 6, 8 apo 10 kate përballë zyrës së kryetarit të bashkisë apo para syve të tyre.

Kemi bërë 100 ndryshime në Kodin e Procedurës dhe për vepra të tilla nuk do të ketë më paraburgim.

Po, siç i do qejfi Ramës: i mbushi 10 vjet burgjet me të paraburgosur për vepra penale që as duhet t'i ndalonte, tani thotë "nuk do t'i ndalojmë më, nuk do të kemi më të paraburgosur".


Por këtu ka edhe një kleçkë, ka futur dhe korrupsionin aktiv.

Pra, kryeministri Rama nuk thotë vetëm "vazhdoni juve, tani mund të vidhni energjinë, tani mund të ndërtoni pa leje, tani edhe mund t'i dhunoni gratë, edhe mund t'i përndiqni se nuk arrestoheni më".

Por thotë edhe: "Mund të bëni dhe korrupsion, mund t'u jepni lekë zyrtarëve, s'ka problem se nuk ju arreston njeri". Ky është fakt.

Edi Rama kërkon të amnistojë dhe të ndryshojë nenin e korrupsionit aktiv.

Pra, një biznesmen, i cili shkon me një shukë me euro, 500,000 euro dhe ia jep një ministri për të marrë një tender 5 milionë euro apo 10 milionë euro, nuk do të quhet më korrupsion aktiv, nuk do të arrestohet, nuk do t'i sekuestrohen provat, nuk do t'i merret telefoni.

Se nuk do më kryeministri të ketë halle nga këto, sepse të gjithë hajdutët e tij i kanë dalë në pazar nga muhabetet e telefonave, nga shukat e eurove, nga vilat, e deri te kryetari i Bashkisë Tiranë që firmoste 850,000 euro veshje për gruan. Ndaj dhe tani ka hall.

Kërkon të mos ketë më korrupsion aktiv. Kërkon që burgjet të mos mbushen më me ata që i mbushi për 10 vjet, por t'i lërë bosh paraburgimet, se tani iu ndërrua mendja kryeministrit tonë, a thua se kemi mbret, jo një kryeministër të zgjedhur nga populli.  

Në fakt, e përkthyer thjesht, Kodi i ri i Procedurës Penale është thjesht një thirrje: përndiqni, dhunoni gratë, bëni korrupsion aktiv, ndërtoni pa leje, vidhni dhe energjinë, se tani Edi Rama nuk ju arreston më, nuk ka më paraburgim për këto vepra penale, megjithëse për disa prej tyre as nuk duhet të ekzistonte paraburgimi.

Por bashkë me ato vepra me të cilat Edi Rama mbushi burgjet, në emër të tyre kërkon të amnistojë edhe korrupsionin, edhe vepra të rënda penale siç është përndjekja, dhunimi i grave dhe korrupsioni aktiv.  

Por në fakt është tjetër vepër ajo e një ndërtimi të vogël pa leje, ajo e vjedhjes së energjisë për nevoja për të mbijetuar, nga korrupsioni aktiv, nga përndjekja, nga dhunimi i bashkëshortes, nga dhuna në familje.

Por Edi Rama i ka bërë të gjitha bashkë dhe thotë "deri në 5 vjet vazhdoni shikoni punën se nuk ju ndalon njeri".  

Ky është Kodi që propozon Edi Rama, i cili nuk bën asgjë më shumë, thjesht do të shtojë krimin e përditshëm, dhunën në familje, përndjekjen, dhe thjesht do të shtojë korrupsionin sepse hajdutët që japin para si bashkëpunëtorë të zyrtarëve të shtetit tani nuk do të arrestohen më./ CNA

4 DITE ME PARE

Pesë vjet nuk mund të jenë matësi i rrezikshmërisë së krimit

Ka një problem shumë më të madh nga sa duket në pamje të parë në ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, sepse këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një ndryshim teknik të masave të sigurimit, por me një filozofi të re se si shteti duhet të reagojë përpara se një rrezik kriminal të shndërrohet në një dëm të pakthyeshëm.

Drafti vendos një kufi numerik, duke parashikuar që për veprat penale me dënim maksimal nën pesë vjet të mos caktohet arresti në burg, sikur numri i viteve që ligjvënësi ka vendosur për një vepër të mund të përcaktojë vetvetiu edhe rrezikshmërinë e personit që dyshohet se e ka kryer atë.

Kjo është pikërisht pika ku ndryshimi bëhet shqetësues, sepse rrezikshmëria nuk mund të matet me një kalkulator ku futet maksimumi i dënimit dhe prej tij del automatikisht masa e sigurimit.

Një vepër penale mund të ketë një dënim relativisht të ulët në abstrakt, por mënyra se si është kryer, marrëdhënia e autorit me viktimën, përsëritja e sjelljes, mundësia e ndikimit mbi dëshmitarët, rreziku i prishjes së provave apo pozita që personi ka në një institucion mund ta bëjnë rrezikun konkret shumë më të madh nga sa tregon vetë shifra e dënimit.

Merrni dhunën në familje, ku problemi bëhet edhe më i qartë.

Një burrë që rreh sistematikisht gruan, e kërcënon, e kontrollon dhe e mban në një gjendje të vazhdueshme frike, nuk bëhet më pak i rrezikshëm vetëm sepse vepra për të cilën procedohet ndodhet nën pragun e pesë viteve burg. Përkundrazi, pikërisht fakti që dhuna është përsëritur mund të jetë një nga treguesit më të fortë se rreziku është real dhe se mundësia e përsëritjes nuk është një hamendësim teorik.

Nëse ky person vazhdon të qëndrojë në të njëjtën shtëpi me viktimën, apo edhe thjesht mbetet i lirë dhe në gjendje të ushtrojë presion mbi të, çfarë garancie reale i jep shteti asaj gruaje se dhuna nuk do të përsëritet nesër, se kërcënimet nuk do të përshkallëzohen dhe se një histori dhune nuk do të përfundojë në një tragjedi shumë më të rëndë?

Kjo është arsyeja përse masat e sigurimit nuk mund të ndërtohen vetëm mbi atë që mund të ndodhë pas përfundimit të gjykimit, por duhet të marrin në konsideratë edhe rrezikun që ekziston gjatë vetë procesit penal.

Mund të thuhet se për viktimat e dhunës në familje parashikohen masa të tjera, si largimi i personit nga banesa, ndalimi i kontaktit dhe afrimit apo monitorimi elektronik, por këtu qëndron një tjetër problem që nuk mund të anashkalohet.

Një masë e shkruar në një vendim gjykate nuk është e njëjtë me mbrojtjen reale të viktimës, nëse shteti nuk ka kapacitetin ta kontrollojë dhe ta zbatojë atë në kohë. Një person mund të urdhërohet të mos afrohet, por nëse e shkel masën, policia duhet të jetë në gjendje të reagojë menjëherë. Një byzylyk elektronik mund të jetë një instrument i dobishëm, por ai nuk e zhduk vetvetiu rrezikun që paraqet një person i dhunshëm.

Shqipëria nuk është Norvegjia dhe kjo nuk është një çështje standardesh europiane apo më pak europiane, por një çështje e kapacitetit real të shtetit për të garantuar atë që shkruhet në ligj. Një sistem i masave alternative mund të funksionojë vetëm kur pas tij ekzistojnë policia, shërbimet sociale, strukturat e mbrojtjes së viktimave, monitorimi elektronik dhe një mekanizëm që reagon menjëherë ndaj çdo shkeljeje. Nëse këto hallka nuk funksionojnë me të njëjtën shpejtësi dhe forcë, atëherë rrezikojmë që një garanci që ekziston në letër të kthehet në një iluzion sigurie për viktimën.

Por problemi nuk qëndron vetëm te dhuna në familje. Ai bëhet po aq serioz kur flasim për korrupsionin dhe veprat që dëmtojnë funksionimin e shtetit, sepse këtu ekziston një keqkuptim i madh që e barazon dëmin e një vepre me masën e dënimit që mund të marrë autori i saj.

Korrupsioni nuk është një vepër pa viktimë vetëm sepse viktima nuk qëndron gjithmonë përpara gjykatës dhe nuk mund të tregojë me gisht një person të dëmtuar drejtpërdrejt. Kur një zyrtar manipulon një procedurë prokurimi, favorizon një kompani, deformon konkurrencën, përdor funksionin publik për të siguruar një përfitim të paligjshëm apo ndërhyn në vendimmarrjen e një institucioni, dëmi nuk kufizohet te paratë që mund të jenë marrë.

Dëmtohet buxheti publik, dëmtohen bizneset që kanë konkurruar në mënyrë të ndershme, dëmtohet cilësia e shërbimit që i ofrohet qytetarit dhe, mbi të gjitha, dëmtohet besimi se shteti funksionon mbi rregulla të barabarta për të gjithë.

Pikërisht këtu një kufi mekanik prej pesë vitesh bëhet veçanërisht problematik

Një hetim për korrupsion mund të lidhet me një procedurë prokurimi, me një kontratë publike, me dokumente administrative, me zyrtarë dhe persona të tjerë që kanë marrë pjesë në proces, ndërsa personi nën hetim mund të ketë ende kontakte, autoritet, ndikim apo akses te njerëz që kanë dijeni për mënyrën se si është kryer vepra.

Në një situatë të tillë, pyetja nuk është vetëm se sa vite burg parashikon neni, por nëse ekziston një rrezik konkret që personi të ndikojë mbi provat, dëshmitarët apo bashkëpunëtorët dhe të dëmtojë vetë procesin penal.

Një shtet nuk dëmtohet vetëm nga krimet që dënohen me dhjetë apo pesëmbëdhjetë vjet burg. Mund të dëmtohet rëndë edhe nga një vepër që ligjvënësi e ka vendosur nën pragun e pesë viteve, nëse ajo prek një institucion, një procedurë publike, paratë e taksapaguesve apo mënyrën se si merret një vendim shtetëror.

Dëmi i korrupsionit nuk matet me numrin e viteve të burgut që mund të marrë autori, sepse dëmi mund të jetë shumë më i madh sesa dënimi që parashikon ligji për individin.

E njëjta logjikë vlen edhe për veprat që cenojnë funksionimin e drejtësisë dhe të institucioneve, ku ndikimi mbi një dëshmitar, fshehja apo manipulimi i një prove, pengimi i hetimit ose ndërhyrja e paligjshme në një proces mund të dëmtojë jo vetëm një çështje konkrete, por besueshmërinë e vetë sistemit. Nëse një person ka mundësi reale të ndërhyjë në këto procese, fakti që vepra për të cilën hetohet ka një maksimum dënimi nën pesë vjet nuk mund të jetë arsyeja që gjykata të mos ketë më në dispozicion masën më të fortë kur rreziku konkret e kërkon atë.

Pastaj vijnë veprat që prekin drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e personit, ku përsëri maksimumi i dënimit nuk mund të shërbejë si matës automatik i rrezikut.

Në rastin e dhunës së përsëritur, përndjekjes apo kërcënimeve, viktima nuk jeton me një nen të Kodit Penal në dorë, por me frikën se çfarë mund të ndodhë pas derës së shtëpisë, në rrugë, në vendin e punës apo në momentin kur personi që e ka kërcënuar vendos të mos e respektojë më asnjë kufizim.

Përndjekja është shembulli tipik.

Një person që ndjek vazhdimisht një grua, e telefonon, i dërgon mesazhe, i shfaqet në shtëpi ose në punë dhe e vendos atë në një gjendje të vazhdueshme frike mund të mos ketë kryer ende veprën më të rëndë që mund të imagjinojmë, por pikërisht kjo nuk do të thotë se shteti duhet të presë përshkallëzimin e situatës për të reaguar. Nëse ekzistojnë të dhëna konkrete për përsëritje dhe për rrezik ndaj viktimës, logjika e drejtësisë duhet të jetë parandalimi i dëmit dhe jo pritja që dëmi të ndodhë përpara se të pranohet se rreziku ka qenë real.

Kjo është ajo që e bën të rrezikshme idenë e një kufiri të prerë. Në vend që gjykatësi të shohë rastin konkret dhe të vlerësojë nëse masat më të buta janë të mjaftueshme, ligji i jep një rëndësi disproporcionale një shifre që nuk tregon asgjë për marrëdhënien midis autorit dhe viktimës, për historikun e sjelljes, për mundësinë e përsëritjes apo për aftësinë e personit për të ndikuar mbi procesin penal.

Prezumimi i pafajësisë është një parim themelor dhe arresti në burg nuk mund të përdoret si dënim i parakohshëm, por pikërisht për këtë arsye masa e sigurimit duhet të vendoset mbi bazën e rrezikut konkret dhe jo mbi bazën e një paragjykimi automatik.

Problemi i kësaj pakete është se në emër të kufizimit të burgimit rrezikon të krijojë një kufizim tjetër, duke ia ngushtuar gjykatës hapësirën për të reaguar pikërisht në ato raste kur një person mund të jetë realisht i rrezikshëm, edhe pse vepra e dyshuar nuk e kalon pragun numerik të vendosur nga ligji.

Mesazhi që mund të marrë edhe vetë autori i veprës është problematik.

Nëse ligji krijon një kategori të gjerë veprash për të cilat arresti në burg praktikisht përjashtohet, atëherë krijohet ideja se për këto vepra ekziston një lloj kufiri sigurie, pavarësisht se çfarë tregon rasti konkret. Kjo është veçanërisht shqetësuese për dhunën e përsëritur në familje, për përndjekjen dhe kërcënimet, por edhe për korrupsionin dhe veprat që mund të cenojnë provat, dëshmitarët dhe funksionimin normal të institucioneve.

Një reformë e procedurës penale mund të diskutojë se si të shmanget përdorimi i panevojshëm i paraburgimit, por nuk mund ta zgjidhë këtë problem duke kaluar në ekstremin tjetër dhe duke e kthyer maksimumin abstrakt të dënimit në një kufi pothuajse automatik për masën e sigurimit. Në drejtësinë penale nuk mjafton të dish se sa vite parashikon neni. Duhet të dish çfarë ka ndodhur, si është kryer vepra, kush është viktima, çfarë marrëdhënieje ka me autorin, çfarë rreziku ekziston për përsëritjen, për provat, për dëshmitarët dhe për vetë procesin.

Nëse një burrë ka rrahur sistematikisht gruan e tij, shteti nuk mund t’i thotë viktimës se duhet të ndihet e sigurt vetëm sepse maksimumi i dënimit është nën pesë vjet. Nëse një zyrtar dyshohet se ka manipuluar një procedurë publike dhe mund të ndikojë ende mbi njerëzit dhe dokumentet e lidhura me hetimin, shteti nuk mund t’i thotë prokurorit se rreziku procedural zhduket për shkak të një kufiri numerik.

Nëse një person përndjek vazhdimisht viktimën dhe sjellja e tij tregon përshkallëzim, shteti nuk mund të presë që përndjekja të shndërrohet në një krim më të rëndë për të kuptuar se rreziku ka ekzistuar.

Kjo nuk është mbrojtje e tepruar e paraburgimit. Është mbrojtje e arsyes së shëndoshë juridike. Masa e sigurimit duhet të jetë proporcionale, por proporcionaliteti nuk do të thotë se gjykatës i hiqet mundësia të reagojë kur përballë ka një rrezik real. Një sistem i drejtësisë nuk matet vetëm me numrin e njerëzve që nuk fut në burg, por edhe me aftësinë për të mbrojtur viktimën, provën, dëshmitarin dhe vetë procesin atëherë kur këto janë realisht në rrezik.

Pesë vjet janë një numër. Rrezikshmëria e një njeriu nuk është.

Parandalimi ekziston pikërisht përpara katastrofës. Nëse ligji e sheh rrezikun vetëm pasi dëmi është kryer, atëherë nuk kemi më parandalim. Kemi vetëm administrim të pasojave./ CNA

5 DITE ME PARE

Një Kod Procedure në mbështetje të krimit dhe korrupsionit

“Pranga” për hetuesit, liri për të pandehurit

Të mërkurën e 30 shtatorit, kryeministri Edi Rama na u shfaq në ekran dhe na tha se kishte mbledhur disa mendje të ndritura, profesorë dhe intelektualë të jurisprudencës, të huaj kryesisht, të cilët kishin përgatitur Kodin tonë të ri të Procedurës Penale. Një Kod europian sipas kryeministrit Rama, i cili shpalli se për dënime deri në 5 vite nuk do të ketë arrestime dhe paraburgosje.

E lavdëroi si një Kod të ri të Procedurës Penale të standardeve më të larta europiane, kuptohet përgatitur nga lektorë, intelektualë të jurisprudencës, të cilët po i japin Shqipërisë një Kod të Procedurës Penale si në Finlandë ose si në Suedi.

Por, lind pyetja: A mund të ketë vendi më i kriminalizuar dhe më i korruptuar i Europës, Kodin Penal të Finlandës. Si mundet të zbatohet në një vend si Shqipëria, një Kod Penal finlandez, suedez apo danez?

Janë thuajse të pazbatueshëm në vendin tonë. Jo pa qëllim, Shqipëria është përshtatur me Kodet dhe ligjet e Italisë. Jo vetëm për afrimitetin por edhe prej ngjasive në të shkuarën me zhvillimet shoqërore.

Kodi i ri i Procedurës Penale amniston korrupsionin, ky është fakt dhe e përkthyer në një gjuhë më të thjeshtë, i thotë politikës: Vazhdoni dhe bëni korrupsion sa të doni se e kanë më të vështirë t’ju hetojnë dhe të pamundur t’ju arrestojnë, t’ju mbajnë në paraburgim apo t’ju dënojnë.

Le pastaj për të folur për mënyrën se si prokurorët do të gjejnë provat me Kodin e ri të Procedurës Penale, një Kod që siç e përmendëm dhe më lart është një mbështetje e hapur dhe pa rezerva që i bëhet korrupsionit në vend e të korruptuarve.

Jo pa qëllim kryeministri Edi Rama e bën këtë lëvizje. I kanë dalë, zëvenndëskryeministra, ministra, kryetarë bashkish, bashkëpunëtorë, të gjithë si të korruptuar dhe të lidhur në afera dhe skandale. Ndoshta tani kërkon të shpëtojë dhe veten. Diku mund të jetë edhe me firmën e tij.

Kodin e Procedurës Penale na e përgatitën disa të huaj në standardet më të larta europiane si në vendet skandinave, ndërsa Kodin Penal e ka përgatitur vetë. Dhe kur u mblodhën juristët më të mirë që ka Shqipëria, përfaqësues nga gjykatat e niveleve më të larta me dekada eksperiencë, intelektualë të spikatur të jurisprudencës shqiptare, të cilët e njohin mjaft mirë realitetin dhe shoqërinë tonë, nivelin e krimit dhe korrupsionit, propozuan një Kod Penal.

Çfarë nuk u tha dhe çfarë reagimesh nuk pati, megjithëse ai Kod Penal thjeshtë dhe vetëm korrigjonte disa defekte dhe trajtonte disa fenomene të reja të shoqërisë, ndërsa Kodi i ri i Procedurës Penale përgatitur nga disa të huaj që janë në autobus në lidhje me realitetin shqiptar sjellin një Kod të ri Procedurë i cili ndihmon korrupsionin dhe krimin.

I gjithë Kodi i ri i Procedurës Penale i propozuar, ndryshe nga Kodi Penal i përgatitur nga ekspertët shqiptarë janë si nata me ditën. Kodi i ri i Procedurës Penale është një errësirë për shqiptarët dhe Shqipërinë sepse ndihmon krimin dhe korrupsionin.

Ju thotë vidhni sa të mundeni se nuk ju arreston njeri, nuk mbani përgjegjësi para ligjit, kurse Kodi Penal ndihmonte, ndëshkonte dhe po ashtu e forconte ligjin dhe shtetin, dhe sot jemi përballë faktit që kryeministri na propozon një Kod të Procedurës Penale si të jetojmë në Finlandë, kur në fakt jetojmë në Shqipëri, me një tufë hajdutësh dhe të korruptuarish në pushtet dhe me një nivel krimi skandaloz, ku bandat shqiptarë kanë marrë drejtimin e karteleve të drogës sa në Ekuador, Kolumbi e gjetke, ku vrasjet e zbardhura nga Sky Encrochat-i tregojnë nivelin e vërtetë të krimit në vend.

Kryeministri na thotë se ne jetojmë në realitet tjetër, jemi si Finlanda apo si Norvegjia dhe si të tillë duhet të kemi një Kod Procedure Penale që na përshtatet, kur në fakt jetojmë në Shqipëri, të zhytur në korrupsion dhe të mbytur nga krimi dhe droga. /CNA

5 DITE ME PARE

Kodi i ri i Procedurës Penale/ Mburojë për krimin dhe korrupsionin

 

1 JAVE ME PARE

Një Kod i Procedurës Penale në mbështetje të krimit dhe korrupsionit

Ditën e djeshme shqiptarëve iu prezantua Kodi i ri i Procedurës Penale. Pas Kodit Penal të përgatitur nga gjyqtarë dhe ekspertë shqiptarë, kryeministri Edi Rama shfaqi dje një Kod të Procedurës Penale të bërë me italianë e francezë.

Një Kod i standardeve më të larta, sipas tij, që, në fakt, nuk është bërë as nga prokurorë, as nga gjyqtarë dhe as nga njerëz të sistemit të drejtësisë, qoftë në Itali apo në Francë, apo tjetërkund, por nga profesorë, akademikë, të cilët kanë sjellë një produkt.

Një produkt që po ta shohësh me imtësi është çështja e Erion Veliajt, fillim dhe mbarim, dhe çështjet e luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri, të cilat Kodi i Procedurës Penale i amniston.

Për ata që dinë të lexojnë 5 rreshta, ky Kod me 100 ndryshimet e tij është realisht për t’u zbatuar në Suedi, ndoshta Norvegji, Finlandë apo në ndonjë vend tjetër. Por edhe në këto vende vështirë se do të ishte kaq Kod liberal. Në vendin më të korruptuar të Europës, në vendin me krimin më të lartë në kontinent, ju jepet një Kod ku ju thuhet se deri në 5 vite dënim, ti nuk burgosesh.

Por pse u kujtua Rama sot?

A nuk ishte kjo qeveri e Edi Ramës që shkoi dhe burgosi dhjetëra mijëra shqiptarë për çështjen e vjedhjes së energjisë elektrike? A nuk i ndiqte dot në gjendje të lirë? A nuk i burgosi dhjetëra mijëra shqiptarë për një çati apo për disa punime që po kryenin? A nuk ishte qeveria e Edi Ramës ajo që i merrte dhe i burgoste njerëzit për një gotë alkool?

Ndërkohë tani del dhe thotë nuk do të burgoseni më dhe deri në 5 vite dënim nuk ka burgim për ju. Nga ana tjetër, loja me Kodin e Procedurës Penale shkon në thelb edhe me praktikat që duhet të ndjekin prokurorët.

Edi Rama, jo pa qëllim ka kërkuar nga ekspertët që të ketë një Kod për të vështirësuar jetën e prokurorëve. Praktikisht me Kodin e ri të Procedurës Penale, në qoftë se kalon varianti që tashmë është prezantuar, SPAK-ut duhet të shkojnë t’i vënë çelësin.

Vendi më i korruptuar dhe me kriminalitetin më të lartë në Europë. Mjafton të shikojmë qindra e qindra vrasje, krime dhe trafik ndërkombëtar droge të dala nga mesazhet e SKY Encrochat. Mjafton të shikojmë dhjetëra zyrtarë të korruptuar, zëvendësministra, ministra dhe kryetarë bashkie të kapur në afera për të kuptuar se çfarë po bën Edi Rama.

Kryeministri po i jep Shqipërisë një Kod “europian” në vendin më të inkriminuar dhe të korruptuar të Europës. E përkthyer thjesht, Edi Rama po amniston krimin dhe korrupsionin. Edi Rama po përgatit një Kod për të çliruar dhe shfajësuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij në politikë.

Për më tepër, ky Kod i ri i Procedurës Penale është një akuzë për Edi Ramën, sepse përtej mbështetjes që i jep korrupsionit dhe zyrtarëve hajdutë, ndihmon dhe lehtëson krimin e banditët.

Këtu ngrihet pikëpyetja: “A po konfirmon Edi Rama se përtej bashkëpunimit me hajdutët e tij në pushtet ka qenë edhe bashkëpunëtor i krimit dhe bandave, ashtu siç është akuzuar rëndom nga opozita”.

Një Kod i ri i Procedurës Penale nuk bën asgjë tjetër, thjesht dhe vetëm lehtëson krimin e bandat dhe mban të lirë hajdutët e korruptuar të pushtetit. /CNA

1 JAVE ME PARE

Kodi i Procedurës Penale vendos censurë!

“Pranga” për hetuesit, liri për të pandehurit

Këtë të mërkurë, 30 shtator 2026, u prezantuan nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë Toni Gogu projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.


Sipas të dhënave të bëra publike, janë ndryshuar mbi 100 nene të hartuar nga ekspertë të fushës nga Italia dhe Franca.


Në fakt, në vend të ndryshimeve, Kodi i Procedurës Penale në të vërtetë vendos censurën.
Censura evidentohet në një nga nenet që përfshin drafti i ri i Procedurës Penale.


Bëhet fjalë për nenin 103, “Ndalimi i publikimit të akteve dhe i pamjeve të procedimit Penal”

Në këtë nen theksohet se:


1-Ndalohet shpërndarja apo publikimi qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të procedimit penal që, sipas këtij Kodi, janë të mbrojtura nga sekreti hetimor, si dhe i përmbajtjes së tyre, nëpërmjet shtypit, mjeteve audiovizive, faqeve zyrtare të institucioneve, rrjeteve sociale ose çdo forme tjetër të komunikimit nga organet proceduese, i pandehuri dhe mbrojtësi, viktima ose trashëgimtarët e tij, si dhe nga ekspertët ose persona të tjerë që kanë marrë dijeni mbi aktet për shkak të cilësive të tyre zyrtare.


2- Në rast të kërkesave për informacion nga të tretët, organi procedues vlerëson interesin e kërkuesit për informim në raport me nevojat e fshehtësisë së hetimeve, duke u mbështetur në parimin e proporcionalitetit. Në rast refuzimi të kërkesës, subjekti i interesuar ose palët e treta kanë të drejtën e ankimit brenda 10 ditëve pranë gjykatës së shkallës së parë kompetente, e cila e gjykon ankimin në dhomë këshillimi. Në këto raste ankimi ushtrohet vetëm në rrugë gjyqësore dhe jo pranë komisionerit për të drejtën e informimit.


3-Ndalohet shpërndarja apo publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, nga organi procedues, nga kallëzuesi, viktima, i pandehuri ose personi nën hetim dhe nga mbrojtësit e tyre, i akteve të hetimeve paraprake, që nuk janë më të mbrojtura nga sekreti hetimor:
a) kur vendoset pushimi i procedimit, deri në një vit pas vendimit të pushimit, sipas vlerësimit përkatësisht të prokurorit, ose gjyqtarit të seancës paraprake që ka vendosur pushimin; ose
b) deri në fillimin e seancës së parë të shqyrtimit gjyqësor të themelit, sipas parashikimeve të këtij Kodi.

“Pranga” për hetuesit, liri për të pandehurit

Ky nen është një censurë, ku nënvizohet qartazi që opinioni publik ndalohet të informohet mbi korrupsionin apo zullumet që përfshijnë zyrtarët e lartë të këtij vendi apo bashkëpunimin e këtyre të fundit me eksponentë të botës së krimit apo dhe veprimtarinë e grupeve të strukturuara kriminale.


Duke ndaluar informimin mbi çështje sensitive që prekin drejtpërdrejt opinionin publik, kufizimet dhe censura që është vendosur me këto ndryshime të projektuara të Kodit të Procedurës Penale e kthen Shqipërinë sërish në diktaturë.


Ky draft ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale vjen pas shpërthimit të skandaleve të njëpasnjëshme në institucionet më të rëndësishme të vendit, si AKSHI apo sëfundi SHISH, apo dhe prangosjen e rënien e zyrtarëve të lartë në radhët e pushtetit.


Ky projektndryshim në fakt është një censurë dhe diktaturë për opinionin publik dhe në vetevete një "mburojë" për ata që bien në grepin e drejtësisë./ CNA





Lajmet e fundit nga