web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A do të bëhet Mirel Mërtiri bashkëpunëtor i drejtësisë?

9 Tetor 2026, 14:43, Aktualitet REDAKSIONALE
A do të bëhet Mirel Mërtiri bashkëpunëtor i
Mirel Mërtiri

Gati tri vite më parë, në dhjetor të 2023-shit, në CNA kemi publikuar këtë shkrim.

Ky shkrim kishte të bënte me paralajmërimin që kishte bërë Çim Peka për intervistën që do të jepte për herë të parë Mirel Mërtiri, njeriu, “truri” kryesor i inceneratorëve apo aferës së landfilleve.

Flasim për qindra milionë euro kontrata koncesionare, të cilat filluan me ndërtimin e një inceneratori në Elbasan, që nuk funksionon, është jashtë funksionit, për shumë arsye, i cili kushtoi rreth 24 milionë euro, ndërkohë që në Elbasan kemi vetëm landfill, ku autoriteti kontraktor ishte Stela Gugallja, bashkëjetuesja dhe nëna e fëmijëve të Mërtirit.

Më pas u bë investimi në Fier ku tentakulat u shtrinë përmes Klodian Zotos, të ITS, edhe aty rreth 35 milionë euro në një incenerator që mund të quhet shumë më modern dhe më cilësor se i Elbasanit, por që në fakt nuk ka përfunduar për shkak të një procedure dhe disa pajisjeve me vlerë rreth 3 milionë euro që ndodhen në doganën e Tiranës, siç pretendohet. Por edhe në Fier nuk kemi incenerator, nuk funksionon.

Përveç këtyre dy shumave që shkojnë rreth 60 milionë euro, Mirel Mërtiri, përmes skemave të tij me Klodian Zoton dhe duke përdorur kompani të huaja, çelin një guaskë në Holandë ku krijojnë kompaninë “Integrated Energy”, përmes së cilës erdhën në Tiranë, morën koncesionin e landfillit të Sharrës me një vlerë 300 milionë euro fillimisht, kontratë koncesionare me qeverinë, me një shumë prej 10 milionë eurosh në vit, e cila më pas është shtuar duke pasur parasysh se në landfillin e Tiranës do të çoheshin edhe mbetjet e bashkive të Qarkut të Durrësit.

Kontratat koncesionare në vlerën e tyre janë rreth 300 milionë euro, por të ardhurat e përllogaritura në 30 vite mund të shkonin nga 900 milionë deri në 1 miliard euro.

Kjo në bazë të xhiros, e cila shkonte rreth 25 deri në 30 milionë euro në vit, ndoshta edhe më tepër, për shkak edhe të shërbimeve të tjera që jepte landfilli, siç ishte mbledhja e dherave, kini parasysh ndërtimet e fundit në kryeqytet prej tri vitesh, sa do të ishin të ardhurat, kullat që ndërtohen, apo dhe aktivitetet e tjera si shitja dhe pagesat që merrte nga mbledhja e shumë produkteve të ndryshme.

Për Mirel Mërtirin në atë kohë ne shtruam pyetjen:

A do të bëhet i penduar i drejtësisë? A do të bëhet bashkëpunëtor i saj?

Tani mediat në Shqipëri janë pushtuar me thashetheme: Mirel Mërtiri ka folur, Mirel Mërtiri nuk ka folur, ka një dokumentar, ia ka dhënë një gazetari austriak, Frederik Fussel, ky i fundit ka ardhur edhe në Tiranë, ka kontaktuar edhe ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj për të folur, gjithashtu pretendohet se në dokumentar ka folur edhe Daniel Shima i AKSHI-t, por thelbi i pyetjes sonë që qëndron tek investigimi dhe te puna e bërë nga CNA: a do të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë Mirel Mërtiri?

Kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Ne betejën tonë mediatike mund ta quajmë të “fituar”, në fund të fundit kemi bërë thjesht dhe vetëm detyrën, por që e vërteta të dalë në shesh, Mirel Mërtiri duhet të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Dihet se kush është njeriu kryesor i vullnetit për të bërë inceneratorët, emrin e ka Edi Rama. Dihet se kush është përgjegjësi për landfillin e Tiranës ku inceneratori nuk ekziston, emrin e ka Erion Veliaj.

Por dalja e Mërtirit në media është e pamjaftueshme.

Ai duhet të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, ai duhet të nxjerrë fakte dhe prova dhe ta çojë deri në fund këtë aferë, që ndoshta ishte një nga bashkëpunëtorët dhe ndërtuesit kryesorë të saj, ndoshta edhe i keqpërdorur nga politika.

Ai krijoi mjetet, ndërtoi rrugën për të marrë koncesionin, por më pas ndoshta është “rrjepur” nga konjukturat politike, nga propaganda, nga mediat, nga pushteti, nga bashkia dhe nga kushdo tjetër. Dhe këtë mund ta provojë vetëm Mirel Mërtiri duke treguar të vërtetën. Jo duke thënë: "Urdhëro një USB, ja sa para i kam dhënë X-it apo Y-it", por duke u bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.

Duke treguar rrugën e vërtetë si ka mundur ai të marrë këto kontrata koncesionare, marrëdhënien që ka pasur me Arben Ahmetajn, marrëdhënien që ka pasur me Erion Veliajn, marrëdhënien që ka pasur me Lefter Kokën, marrëdhënien që mund të ketë pasur me Edi Ramën, kush e ka çuar tek Edi Rama, si lidhet me Erion Veliajn, kush qenë personat e tjerë të përfshirë, ku shkuan paratë që ai dha, për kë paguante, si ka mashtruar në media, nëpërmjet propagandës dhe rrjetit që krijoi, si çoi një kallëzim në SPAK për të goditur mikun e tij dhe më pas fundosi edhe veten, për të treguar këtu, pse jo, edhe rolin e Klodian Zotos.

Mirel Mërtiri duhet të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë që shqiptarët të mësojnë të vërtetën e aferës së inceneratorëve.

Ndoshta është momenti, pasi ka humbur të gjitha nivelet e gjyqeve në Austri dhe pritet ekstradimi i tij, ai mund të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë për të shpëtuar veten, për të shpëtuar fëmijët dhe për t'u treguar shqiptarëve lumin e aferës së inceneratorëve.

E në rast se nuk e gjen dot forcën të bëjë këtë gjë, atëherë pse jo, Klodian Zoto duhet të qëndrojë në radhë për të folur dhe për të zbërthyer aferën qindra milionë euro që i la Shqipërisë një mal me hajdutë dhe një mal me plehra./ CNA

 





Lajmet e fundit nga