Bota Botë e Çuditshme

Burri që feston Krishtlindjet çdo ditë prej 33 vitesh: Vapa e verës ia ka bërë traditën të padurueshme!

Andy Park, i njohur si “Mr Christmas”, feston Krishtlindjet çdo ditë që prej 14 korrikut 1993. 62-vjeçari nga Melksham, Wiltshire, në Britaninë e Madhe, nuk lejon që as temperaturat e larta të verës ta ndalojnë traditën e tij të pazakontë,. “Ka qenë kaq vapë, sa është bërë e padurueshme”, tha Park. Megjithatë, ai këmbëngul se çdo ditë për të është Krishtlindje dhe se as i ftohti, as i nxehti nuk do ta bëjnë të heqë dorë.

Për t’iu përshtatur temperaturave të larta, Andy ka gjetur mënyra kreative për të ruajtur atmosferën festive. Ai hap dhuratat e blera një ditë më parë për veten, ndërsa freskon këmbët në një pishinë të vogël për fëmijë. Madje, darkën tradicionale të Krishtlindjeve e përgatit në skarë, për të shmangur përdorimin e furrës në shtëpi.

Tradita nisi në një ditë të nxehtë korriku të vitit 1993, kur Park, i cili punon në riparimin e lavatriçeve dhe sobave, po kalonte një periudhë të vështirë emocionale. Kur u kthye në shtëpi, nxori nga papafingoja pemën dhe dekorimet e Krishtlindjeve, vendosi dritat dhe pa një regjistrim të fjalimit të Mbretëreshës. Më pas përgatiti një darkë festive.

Përvoja i pëlqeu aq shumë, sa vendosi ta përsëriste të nesërmen. Që atëherë, ai blen dhurata për veten, shkruan kartolina Krishtlindjesh dhe ndjek çdo ditë, në orën 15:00, fjalimin festiv të monarkes britanike. Për Andy-n, Krishtlindjet nuk janë thjesht një festë kalendarike, por një mënyrë për të sjellë gëzim në jetën e përditshme, pavarësisht motit apo stinës.