
Tre persona, Vinçens Piroli, Kristian Ymeri, i njohur edhe si “Shkambi”, dhe Elden Tarja, u arrestuan sot nga policia e Lezhës, pasi dyshohet se po përgatiteshin të kryenin një vrasje.
Sipas informacioneve të bëra publike, SPAK ka shfaqur interes për çështjen dhe kërkon përfshirjen në hetime, për shkak të dyshimeve se personat e arrestuar mund të kenë lidhje me një grup të dyshuar për vrasje me pagesë.
Në qendër të hetimeve është edhe Vinçensk Piroli, i cili raportohet se ka precedentë të mëparshëm penalë dhe është përmendur në lidhje me një vrasje në Malin e Zi. Në janar të vitit 2022, ai vetë ishte shënjestër e një atentati në Shkodër.
Gjithashtu, po verifikohen dyshimet për një lidhje të mundshme mes personave të arrestuar dhe atentatit të ndodhur në Sarandë, ku mbeti i vrarë një person i njohur si “Tani i Ruzhdiut”.
Ngjashmëritë e raportuara mes dy ngjarjeve lidhen me përdorimin e motorëve dhe armëve të zjarrit. Megjithatë, lidhja mes tyre mbetet për t'u provuar nga hetimet.
Deri në një njoftim zyrtar nga organet e drejtësisë, dyshimet ndaj personave të arrestuar mbeten objekt hetimi dhe nuk përbëjnë fajësi të provuar./Versus.al

