Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Zgjedhja e tre anëtarëve prokurorë të KLP-së, kryetarja Mirela Bogdani: Një moment i rëndësishëm për ripërtëritjen e përbërjes së Këshillit

Shkruar nga Newsbomb
Zgjedhja e tre anëtarëve prokurorë të KLP-së, kryetarja
Mirela Bogdani, moment nga Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve

Tiranë, 9 tetor 2026 – Sot, në ambientet e Polit të Drejtësisë, është zhvilluar Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve, në kuadër të procesit zgjedhor për zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), nga radhët e prokurorisë.

Përmes këtij procesi zgjedhor, prokurorët do të zgjedhin tre përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët do të zëvendësojnë anëtarët që përfundojnë mandatin në 2026, përkatësisht z. Sokol Stojani, përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme; znj. Ledina Riza, përfaqësuese e prokurorive të apelit; dhe z. Zeqir Hoda, përfaqësues i prokurorive të shkallës së parë.

Në këtë aktivitet, Kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, znj. Mirela Bogdani, mbajti fjalën e saj përshëndetëse, duke vlerësuar rëndësinë e procesit zgjedhor për ripërtëritjen e përbërjes së Këshillit dhe vijimësinë e përfaqësimit të prokurorëve në këtë organ kushtetues.

Duke reflektuar mbi përvojën institucionale të Këshillit, znj. Bogdani u ndal te pesha e vendimeve që ky organ mban në lidhje me karrierën, vlerësimin dhe statusin e prokurorëve, si dhe në përzgjedhjen e drejtuesve të strukturave të rëndësishme të sistemit. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi se përgjegjësia e anëtarëve të Këshillit nuk kufizohet te përfaqësimi i kolegëve që i zgjedhin, por shtrihet te garantimi i standardeve dhe mbrojtja e interesit institucional.

Një vend të veçantë në fjalën e saj zuri rëndësia e integritetit, kolegjialitetit dhe pavarësisë së gjykimit, duke theksuar se përfaqësimi i prokurorëve në Këshill duhet të mbështetet në përgjegjshmëri dhe respektim të parimeve, përtej marrëdhënieve apo pritshmërive individuale.

“Vota që do t’u jepni sot kolegëve nuk është një borxh që pret të shlyhet nesër me një promovim apo shfajësim. Është besim që kërkon përgjegjësi e cila rëndon deri në fund”, u shpreh Kryetarja Bogdani, duke nënvizuar se vlera e një mandati institucional matet mbi të gjitha me standardet që lë pas.

Ripërtëritja e përbërjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë përmes zgjedhjes së anëtarëve nga radhët e prokurorisë përbën një element të rëndësishëm të funksionimit të modelit të qeverisjes së sistemit të prokurorisë, duke ruajtur vijimësinë institucionale dhe përgjegjësinë e përbashkët për konsolidimin e pavarësisë dhe besimit publik në drejtësi.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese