AKTUALITET /

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, autorët e programuan 4 ditë para gjyqit. Zbardhen sms-të mes xhaxhait e nipit

Sipas prokurorëve të çështjes, Arenc Çela dhe Ridvan Suka, komunikimet e zbuluara në telefonat e sekuestruar mbështesin dyshimin se vrasja ishte paramenduar disa ditë përpara.

Shkruar nga Versus

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, autorët e programuan 4 ditë para

Mesazhe të zbuluara në telefonin e Elvis Shkambit dhe të xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, kanë hedhur dritë mbi dyshimet e prokurorisë se vrasja e gjyqtarit të Apelit Tiranë, Astrit Kalaja, ishte planifikuar katër ditë përpara ngjarjes së rëndë të 6 tetorit 2025.

Sipas dosjes penale, të siguruar nga gazetari Elton Qyno, tre ekspertë të laboratorit kibernetik pranë SPAK kanë zbuluar komunikime mes Elvis Shkambit dhe xhaxhait të tij, të cilat janë konsideruar prova me rëndësi për hetimin.

Siç rezulton dhe në dosjen penale në datën 2 tetor 2025, të siguruar nga gazetari Elton Qyno, Elvis Shkambi, i dërgon mesazh xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, duke i shkruar në orët e mbrëmjes se: “…e me i qelbanikos krejt…”.

Ndërkohë në datën 3 Tetor 2025 në orën e mbrëmjes 22:56 Elvis Shkambi i shkruan një mesazh xhaxhait të tij, duke i thënë se:”…situata asht e randë boll, pa e randu edhe pak ma shumë…”.

Vetëm dy minuta më vonë, Shkambi i dërgonte një tjetër mesazh xhaxhait të tij: “Të ruajmë nervat për të hënën”.

Pikërisht të hënën, më 6 tetor 2025, ndodhi vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë. Gjyqtari u qëllua me tre plumba pistolete, të cilët rezultuan tejshkues dhe i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Sipas prokurorëve të çështjes, Arenc Çela dhe Ridvan Suka, komunikimet e zbuluara në telefonat e sekuestruar mbështesin dyshimin se vrasja ishte paramenduar disa ditë përpara.

Tri akuza ndaj Elvis Shkambit

Elvis Shkambi është marrë i pandehur për tri vepra penale: “Vrasja e funksionarëve publikë”, në dëm të gjyqtarit Astrit Kalaja; “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të Ragip Kurtajt dhe Ervis Kurtajt, e kryer në bashkëpunim; si dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve shpërthyese”.

Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon një dënim nga 35 vjet burgim deri në burgim të përjetshëm, sipas të dhënave të dosjes.

Gjatë hetimeve, prokuroria nuk ka konstatuar prova që të vërtetojnë pjesëmarrjen e Gjon Shkambit në vrasjen e gjyqtarit. Ai fillimisht u arrestua dhe u hetua për këtë ngjarje, por kjo akuzë nuk u provua. Megjithatë, ai është marrë i pandehur për vrasjen në rrethana cilësuese kundër palëve ndërgjyqëse, në dëm të Ragip Kurtajt dhe Ervis Kurtajt.

Në këtë çështje është marrë i pandehur edhe Banush Koxhaj, punonjës i Gjykatës së Apelit Tiranë, i akuzuar për shpërdorim detyre. Sipas hetimeve, ai nuk kreu kontrollin fizik pas sinjalit të kuq të dhënë nga skaneri i sigurisë në gjykatë.

Çështja ka hyrë në fazën e gjykimit paraprak në Gjykatën e Tiranës, ndërsa procesi gjyqësor pritet të vijojë në muajt në vijim./Syri

Poll