Rama paralajmëron krijimin e Ministrisë së Administratës Publike: Adea Pirdeni pritet ta drejtojë

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme do të ngrihet Ministria e Administratës Publike.

Sipas tij, krijimi i këtij institucioni lidhet me rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që administrata publike ka marrë në veprimtarinë e qeverisë, si edhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit europian.

Të lidhura

None found

“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore edhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë tha se institucioni i ri do të shërbejë për të zgjeruar fushën e përgjegjësive, punës dhe objektivave që lidhen me modernizimin e administratës, duke ndjekur praktikat e vendeve të tjera europiane.

“Është nevoja që, përmes Ministrisë së Administratës Publike, një model që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, gamën e punëve dhe, patjetër, edhe gamën e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve”, u shpreh kryeministri.

Rama sinjalizoi se në krye të ministrisë së re mund të jetë ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni, të cilën e cilësoi si personin e përshtatshëm për të vijuar këtë proces.

“Në këndvështrimin tim nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë vetëm ministria e shtetit për Administratën Publike”, tha Rama, teksa shprehu mirënjohje për përfaqësuesit e administratës dhe angazhimin e tyre.


Shtuar më 9.10.2026 16:21