Kryeministri Edi Rama njoftoi se javën e ardhshme do të krijohet Ministria e Administratës Publike, e cila do të drejtohet nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni.
Gjatë prezantimit të “Shkallës së Meritës”, Rama theksoi se administrata publike zë një vend të rëndësishëm në prioritetet e qeverisë dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Sipas kryeministrit, ngritja e ministrisë së re synon të zgjerojë fushën e përgjegjësive në këtë sektor, të rrisë ambiciet për reformimin e administratës dhe të kontribuojë në ndërtimin e një shteti më të konsoliduar sipas standardeve evropiane.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht sepse tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendrore e punës së qeverisë, por është një temë shumë qendrore edhe e shtetbërjes më të mëtejshme evropiane të Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje se krijimi i një institucioni të dedikuar për administratën publike është një model që ndiqet edhe nga vende të tjera evropiane, ndërsa theksoi nevojën për të zgjeruar përgjegjësitë dhe objektivat në këtë drejtim.
Një tjetër element i rëndësishëm i deklaratës së kryeministrit ishte meritokracia në administratën publike. Rama nënvizoi se vlerësimi i meritës luan rol të rëndësishëm në motivimin e punonjësve, forcimin e ndjenjës së përkatësisë institucionale dhe përmirësimin e bashkëpunimit për realizimin e objektivave të përbashkëta.
“Merita është thelbi për të cilin të gjithë së bashku duhet të punojmë pa ndërprerë dhe duhet të jemi të fokusuar, pasi aty lidhet motivimi, lidhet ndjenja e përkatësisë jo ndaj vendit të punës, por ndaj organizatës, institucionit, departamentit”, deklaroi ai.
Në drejtimin e ministrisë së re do të jetë Adea Pirdeni, për të cilën Rama shprehu vlerësimin e tij për përkushtimin dhe profesionalizmin. Kryeministri u shpreh gjithashtu se pret që angazhimi i saj dhe i ekipit të kontribuojë në krijimin e një institucioni model, me fokus te meritokracia dhe profesionalizmi në administratën publike.


