Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi se ndërhyrjet për mbrojtjen lumore në aksin Elbasan-Qafë Thanë janë pjesë e projektit për zgjerimin e rrugës dhe kanë për qëllim parandalimin e erozionit dhe rrëshqitjeve të tokës.
Gjatë një inspektimi në terren, ministri iu përgjigj shqetësimeve të ngritura në rrjetet sociale lidhur me punimet në shtratin e lumit Shkumbin, duke sqaruar se ato po zhvillohen sipas projektit të zbatimit. Ai theksoi se argjinatura e ndërtuar në zonën e punimeve është e përkohshme dhe do të hiqet pas përfundimit të ndërhyrjes.
Sipas Karakaçit, mbrojtja lumore përbën një nga elementet kryesore të projektit të zgjerimit të këtij aksi rrugor dhe po realizohet për herë të parë në këtë segment.
Ministri bëri të ditur se rreth gjashtë muaj më parë, gjatë zhvillimit të punimeve, një rrëshqitje e madhe e tokës krijoi vështirësi si për ecurinë e projektit, ashtu edhe për qarkullimin e automjeteve. Nga vlerësimet e specialistëve në terren, erozioni i thellë, i lidhur edhe me mungesën e mbrojtjes lumore, ishte një nga faktorët që ndikuan në këtë situatë.
Për të parandaluar përsëritjen e problematikave të tilla, në zonë po ndërtohet një sistem mbrojtës me pilota dhe mur betoni. Ndërkohë, sipas ministrit, trupi i rrugës do të ngrihet rreth 18 metra mbi nivelin aktual të lumit.
Karakaçi shpjegoi se për realizimin e punimeve në kushte të sigurta është ndërtuar një argjinaturë provizore, e cila izolon përkohësisht zonën e ndërhyrjes nga prurjet e lumit.
Ai theksoi se pamja aktuale e shtratit të Shkumbinit nuk pasqyron gjendjen përfundimtare, por është rezultat i masave të përkohshme të nevojshme për zbatimin e projektit.
Sipas ministrit, ndërhyrjet synojnë të garantojnë mbrojtjen e infrastrukturës rrugore nga erozioni dhe rrëshqitjet, si dhe të sigurojnë mbrojtjen e shtratit lumor dhe funksionimin normal të lumit Shkumbin.


