Shqipëria nuk do të ndërhyjë në Politikën e Brendshme të Maqedonisë së Veriut, por nuk do të jetë indiferente ndaj kërkesave për të respektuar shqiptarët atje. Kjo është një ndër pikat e platformës së kandidatit për ambasador të Shqipërisë në Shkup, Petrit Malaj.
“Ne nuk do të ndërhyjmë në politikën e brendshme por do të insistojmë që të zbatohet kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit!”, tha Malaj.
Gjatë dëgjesës në Komisionin e Jashtëm, Malaj theksoi se mbështet protestën e para disa muajsh të studentëve shqiptarë për provimet.
Nga ana tjetër ambasadori Denion Meidani që është propozuar të shërbejë në Kosovë, foli për vendimin e Hagës për të dënuar ish-krerët e UÇK, duke thënë se Shqipëria e mbështet procesin e apelimit ndërsa e komentoi edhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara janë vendim sovran i institucioneve të Kosovës dhe dukshëm vullnet popullor, ne do t’i ndjekim në koordinim të ngushtë me partnerët tanë”, tha Meidani.
Për politikën e jashtme të dy vendeve Mejdani propozoi një formulë të paeksploruar më parë.
“Propozoj një grup të përbashkët pune të dy ministrive të jashtme, me mandat të përhershëm, që koordinon qëndrimet, demarshet dhe praninë tonë në takimet ndërkombëtare, me një ndarje të qartë rolesh”, tha Meidani.
Petrit Malaj dhe Denion Meidani do të ndërrojnë vendet ku kanë shërbyer si përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë, përkatësisht mes Shkupit ku Mejdani ka shërbyer deri më tani dhe Prishtinës ku ambasador ka qenë Petrit Malaj.







Komente
Komento