
Problemet dhe përballjet me drejtësinë për personat e komunitetit LGBTI+ mbeten të padukshme në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Për shkak të një sërë faktorësh, përfshirë ata proceduralë, vakumin ligjor dhe interpretimet e ndryshme të normave dhe rasteve nga e drejta ndërkombëtare, çështjet që lidhen “me orientimin seksual, identitetin dhe shprehjen gjinore, si dhe me karakteristikat e seksit”, shpesh humbasin brenda sistemit.
Studimi “Mes njohjes dhe padukshmërisë ligjore”, me autore Sanela Lilaj dhe Dea Nini, i publikuar me mbështetjen e organizatës Aleanca LGBTI dhe me financim nga Bashkimi Evropian dhe “EuroCentralAsian Lesbian* Community”, analizon pikërisht se si këto çështje trajtohen apo humbasin brenda sistemit të drejtësisë në vend.
Ai u prezantua të premten në prani të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Genta Tafa Bungo.
Gjatë fjalës së saj në këtë aktivitet, Komisionerja Tafa Bungo vlerësoi punën kërkimore, duke u shprehur se ky takim dhe ky studim janë “një hapësirë shumë e nevojshme për dialog”. Ajo vuri theksin te dinamika e sistemit, duke theksuar se “zbatimi i së drejtës është proces i gjallë”.
Ndërkohë, studimi vë në dukje një panoramë ku çështjet LGBTI+ ngecin në sistem për shkak të pamundësisë së këtij të fundit për t’i identifikuar ato si problematika specifike, mospërmbushjes së formës procedurale, interpretimit sipërfaqësor dhe selektiv të së drejtës ndërkombëtare dhe leximit të koncepteve ligjore përmes një lenteje të ngushtë heteroseksuale dhe cisgjinore.
“Përjashtimi juridik nuk shfaqet domosdoshmërisht përmes mohimit të hapur të një të drejte ose përmes një gjuhe institucionale shprehimisht diskriminuese. Ai mund të prodhohet edhe përmes mënyrës se si trajtohet objekti i çështjes, si zbatohen rregullat procedurale, si vlerësohen provat ose si interpretohen koncepte juridike që, megjithëse formulohen në mënyrë neutrale, prodhojnë efekte të ndryshme për persona dhe grupe të ndryshme shoqërore”, thuhet ndër të tjera në përmbyllje të studimit.
Sa i përket infrastrukturës dhe identifikimit të çështjeve, studimi vëren mungesë të një sistemi të strukturuar të dhënash në gjykata. “Sistemet e informacionit dhe të administrimit të çështjeve gjyqësore nuk mundësojnë identifikimin sistematik të çështjeve që lidhen me orientimin seksual, identitetin ose shprehjen gjinore apo karakteristikat e seksit”, thuhet në studim. Kjo vështirësi pasqyrohet edhe te shifrat e rasteve të analizuara, ku nga 45 akte në total, shumica dërrmuese prej 39 vendimesh u përkasin atyre të marra nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), ndërsa vetëm pesë raste vijnë nga gjykatat. Autoret vënë në dukje se edhe në rastet e çështjeve të identifikuara jashtë sistemit, për gjykatat qe e vështirë të vinin në dispozicion informacionin e kërkuar.
Ndërkohë, ecuria e këtyre rasteve rezulton të kushtëzohet shpesh nga kërkesat e formës. Dokumenti evidenton në gjetjet e tij se procedurat ndikojnë në vendimin e institucioneve për të kaluar te themeli i kërkesës. “Në kuptimin operacional të përdorur në këtë raport, formalizmi procedural është mekanizmi më i shpeshtë për shkak të të cilit një çështje nuk arrin në shqyrtim material”, thuhet në studim. Nini përmendi gjatë prezantimit se 40% e rasteve që shqyrtuan ranë në këtë kategori.
Një tjetër gjetje e studimit lidhet me interpretimin e standardeve ndërkombëtare nga ana e institucioneve. Studimi konstaton se jurisprudenca e Gjykatës Evropiane përdoret shpesh vetëm për t’i dhënë arsyetimit një kornizë formale dhe jo detyrimisht për të zgjeruar mbrojtjen juridike të palëve. Nini përmendi një sërë rastesh konkrete, kur referencat në legjislacionin ndërkombëtar u përdorën përciptaz.
Megjithatë, si një rast përjashtues të përdorimit transformues të këtyre standardeve, raporti evidenton çështjen e volejbollistes braziliane Nayara Ferreira kundër Federatës Shqiptare të Volejbollit. Autorja Dea Nini e konsideroi këtë si një vendim të rëndësishëm, pasi në këtë rast Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi jo vetëm konstatoi diskriminim për shkak të karakteristikave të seksit dhe identitetit gjinor, por kaloi përtej, duke kërkuar hartimin e një procedure të posaçme për këto çështje nga ana e federatës.
Në takim u vu në dukje se vendimi mbetej ende i pazbatuar dhe se Federata e Volejbollit ishte ankuar në gjykatë kundër tij.
Studimi shqyrton edhe interpretimin e normave të së drejtës së brendshme, duke argumentuar se rregullat lexohen duke pasur si pikënisje modelet tradicionale të njohura. Ndërkohë, mangësitë ligjore dhe vakumi legjislativ, shpesh i lë apo i mbyll çështjet e ngritura nga LGBTI+ pa përgjigje.






