Një çift shqiptarësh, përkatësisht 39 dhe 34 vjeç, është arrestuar në Selanik të Greqisë, pas një ndjekjeje policore. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin, policia gjeti një pistoletë me 15 fishekë, dy pako me një sasi të vogël kokaine dhe një telefon celular të raportuar si të vjedhur.
Sipas njoftimit të policisë greke, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në pjesën perëndimore të Selanikut. Çifti po udhëtonte me një makinë që drejtohej nga 39-vjeçari, i cili dyshohet se nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar.
Shoferi përshpejtoi lëvizjen dhe, gjatë përpjekjes për t’iu shmangur kontrollit, kreu manovra të rrezikshme. Sipas policisë, ai dyshohet se kaloi edhe me semafor të kuq, përpara se automjeti të ndalohej në rrugën Giannitson.
Sendet e sekuestruara u gjetën në posedim të 34-vjeçares, sipas deklaratës së autoriteteve greke. Gjithashtu, policia bëri të ditur se për të dy të arrestuarit u konstatua qëndrimi i paligjshëm në Greqi.
Pas përpilimit të dosjes përkatëse, çifti pritet t’i paraqitet organit kompetent të prokurorisë për vijimin e procedurave ligjore.


