Një shpërthim në ambientet e rafinerisë Motor Oil, në zonën e Agioi Theodoroi në Greqi, i ka marrë jetën një punëtori shqiptar, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike.
Viktima është identifikuar si Robert Cakaj, 43 vjeç, ndërsa 50-vjeçari Dorian Hysa po trajtohet i intubuar, pas plagëve të rënda që ka marrë në kokë.
Sipas informacioneve paraprake të mediave greke, të dy shqiptarët ishin pjesë e një ekipi të jashtëm dhe po kryenin punime mirëmbajtjeje në ambientet e rafinerisë kur ndodhi incidenti.
Fillimisht, dy punëtorët e plagosur rëndë u transportuan në spitalin e Korinthit. Në të njëjtin spital u paraqit edhe një person i tretë, i cili kishte pësuar probleme të lehta me frymëmarrjen.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, dy punëtorët u transferuan më pas në spitalin Thriasio, ku 43-vjeçari Robert Cakaj ndërroi jetë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve. Ndërkohë, gjendja e Dorian Hysës vijon të jetë kritike.
Përmes një njoftimi zyrtar, kompania Motor Oil konfirmoi vdekjen e njërit prej dy punonjësve të kompanisë kontraktuese dhe bëri të ditur se punëtori tjetër vijon të jetë në gjendje kritike.
“Me hidhërim të thellë u njoftuam se njëri nga dy punonjësit e kompanisë bashkëpunuese kontraktuese që u plagosën rëndë në aksidentin e sotëm, vdiq pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve.
Gjendja shëndetësore e punëtorit të dytë mbetet kritike. Menaxhmenti dhe të gjithë punonjësit e kompanisë shprehin ngushëllimet tona të sinqerta dhe angazhimin tonë për të qëndruar pranë familjes së viktimës.
Autoritetet kompetente po hetojnë shkaqet e aksidentit dhe kompania po bashkëpunon plotësisht me ta”, thuhet në njoftimin e rafinerisë.
Rrethanat dhe shkaqet e shpërthimit mbeten ende nën hetim nga autoritetet greke.


