
Eksperti i sigurisë Shemsi Prençi ka bërë deklarata lidhur me çështjen e Ergys Agasit dhe hetimet e SPAK, duke pretenduar se biznesmeni takohej në një klinikë private me një person që ndodhej në “arrest me burg”.
Sipas Prençit, Agasi ishte mbajtur nën vëzhgim për rreth dy javë përpara ndërhyrjes së SPAK. Ai pretendoi se në disa raste biznesmeni kishte shkuar në një klinikë private për të takuar personin e dënuar, i cili, sipas tij, merrte leje për të dalë nga burgu.
Eksperti deklaroi se ky person kishte lidhje me pastrimin e parave të Agasit, por nuk dha detaje të tjera për të mbështetur pretendimin.
Prençi foli edhe për drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni, duke thënë se SPAK e kishte menduar mirë arrestimin e saj ndërsa ishte në detyrë. Sipas tij, në dosje Hyseni kishte raportuar se do të takohej disa herë me kryeministrin.
“Në dijeninë time, ka biseda mes kryeministrit dhe Ergys Agasit”, u shpreh Prençi.
Duke komentuar masën e sigurisë ndaj Agasit, eksperti dha vlerësimin e tij se vendimi për “arrest shtëpie” mund të lidhet edhe me debatet mbi përdorimin e masës “arrest me burg”.
Në fund, Prençi ngriti shqetësimin se kalimi i informacionit sensitiv te persona të botës së krimit mund të rrezikojë jetën e Vlora Hysenit./Versus.al

