
Një krim i dyfishtë ka tronditur pasditen e së premtes fshatin Livoç të Ulët në Gjilan të Kosovës, ku dy persona humbën jetën nga arma e zjarrit dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Sipas mediave lokale, i dyshuari për ngjarjen është Valon Ramushi, i cili dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij, Nafijen, dhe vëllain e saj, Egzonin. Pas ngjarjes, ai është vetëdorëzuar në polici dhe po merret në pyetje në praninë e avokatit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi se i dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa motivet e ngjarjes ende nuk dihen.
“Vrasja na ka tronditur të gjithëve, jo vetëm në Gjilan. Nga hetimet e para është konfirmuar nga ekipet mjekësore se dy personat kanë humbur jetën nga arma e zjarrit”, deklaroi Hashani.
Ai bëri të ditur se viktimat kanë pasur lidhje të ngushta familjare. Ndërkohë, personi i tretë i plagosur është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku dyshohet se ka marrë lëndime të rënda.
Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa ekipet policore po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
Sipas raportimeve paraprake, dyshimet për motivin e krimit lidhen me kërkesën e bashkëshortes për divorc, por kjo pistë nuk është konfirmuar nga policia./Versus.al


