
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të premteje në fshatin Livoç, në Gjilan të Kosovës ku një burrë dhe një grua janë qëlluar me armë zjarri. Paraprakisht dyshohet se burri ka vrarë gruan dhe vëllain e saj, në rrethana të paqarta. Ndërsa raportohet se i plagosur ka mbetur dhe një person.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar dhe vetë Policia e Kosovës e cila konfirmon se viktimat janë një person i gjinisë mashkullore, rreth 30-vjeçar, i cili është gjetur brenda një veture dhe një femër rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.
Po ashtu bëhet me dije se i plagosur ka mbetur dhe një person i cili pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Ndërsa bëhet me dije se autori i ngjarjes është vetëdorëzuar dhe efektivët kanë sekuestruar armën e përdorur në krimin e dyfishtë.
Dyshimet e para janë se ngjarja ka ndodhur pas kërkesës për divorc nga ana e gruas. Megjithatë në vendngjarje kanë dalë forca të shumta policie të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
“Sot, më 09.10.2026, rreth orës 14:25, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Gjilan, ka pranuar një informatë lidhur me të shtëna me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.
Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe dy prokurorë të Shtetit, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për një incident të rëndë, ku dyshohet se nga arma e zjarrit është vrarë një person i gjinisë mashkullore, rreth 30-vjeçar, i cili është gjetur brenda një veture. Po ashtu ne vendin e ngjarjes ka dal edhe Drejtori i DRP,Gjilan.
Në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është sjellë pa shenja jete një person i gjinisë femërore, rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.
Ndërkohë, një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

