Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Kushtetuesja i mbyll derën Salianjit, rrëzohet kërkesa për shfuqizimin e dënimit

Shkruar nga Newsbomb
Kushtetuesja i mbyll derën Salianjit, rrëzohet kërkesa për

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë me shumicë votash kërkesën e Ervin Salianjit, i cili kërkonte shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që çuan në dënimin e tij.

Pas shqyrtimit të çështjes në seancë plenare më 29 shtator, Gjykata vlerësoi se kufizimi i lirisë së shprehjes së Salianjit ishte proporcional me qëllimet legjitime që synohej të mbroheshin.

Sipas Kushtetueses, arsyetimi i dhënë nga gjykatat e zakonshme për vendimin e dënimit ishte relevant dhe i mjaftueshëm. Me shumicë votash, u rrëzuan gjithashtu si të pabazuara pretendimet e Salianjit për shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë (Gjykata), në datën 29.09.2026, mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve çështjen me kërkues Ervin Salianji, me objekt: “Shfuqizimi i vendimeve nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024 së Gjykatës të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe nr. 00-2025-421, datë 11.03.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.

Gjykata, e mbledhur sot në datën 09.10.2026, pasi mori në shqyrtim pretendimet dhe prapësimet e palëve, në mënyrë të përmbledhur, vlerësoi:

– Ta shqyrtojë çështjen në drejtim të lirisë së shprehjes, të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës, të lidhur me ushtrimin e mandatit parlamentar dhe standardin e arsyetimit të vendimit gjyqësor. Mbështetur edhe në jurisprudencën e GJEDNJ-së, që, nga njëra anë, ka nënvizuar vazhdimisht rëndësinë e lirisë së shprehjes për deputetët dhe, në të njëjtën kohë, ka theksuar edhe se neni 10 i KEDNJ-së nuk garanton liri të pakufizuar të shprehjes, në rastet kur personat e përfshirë nuk veprojnë me mirëbesim në ofrimin e një informacioni të saktë dhe të besueshëm, Gjykata vlerësoi se dënimi penal i kërkuesit përbën ndërhyrje në lirinë e shprehjes. Në kuadër të kritereve të parashikuara nga neni 17 i Kushtetutës, Gjykata çmoi se ndërhyrja është e parashikuar me ligj dhe është bërë për qëllim legjitim. Në vijim të po kësaj analize, Gjykata, pasi diskutoi çështjen edhe në drejtim të proporcionalitetit të ndërhyrjes, me shumicë votash, vlerësoi se ajo është proporcionale me qëllimet legjitime të ndjekura dhe arsyet e parashtruara nga gjykatat e zakonshme për ta justifikuar atë ishin relevante dhe të mjaftueshme.

– Se pretendimet e tjera në kuadër të së drejtës për proces të rregullt ligjor të ngritura nga kërkuesi, me shumicë votash, u gjetën të pabazuara.

Në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështjeje, Gjykata, me shumicë votash, vendosi:

1. Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese