Një çift shqiptarësh, një 39-vjeçar dhe një 34-vjeçare, janë arrestuar në Selanik të Greqisë, pasi tentuan t’i shmangeshin kontrollit policor duke drejtuar automjetin me shpejtësi të lartë dhe duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë.
Sipas njoftimit të Policisë Greke, ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 tetorit, në një rrugë kryesore në pjesën perëndimore të Selanikut. Dy shqiptarët udhëtonin me një automjet, përkatësisht si drejtues dhe pasagjere, kur tentuan t’i shmangeshin kontrollit të policisë.
Për të mos u ndaluar, drejtuesi i automjetit rriti shpejtësinë, kreu manovra të rrezikshme dhe kaloi semaforë me dritë të kuqe. Automjeti u ndalua nga policia në zonën e Giannitson, ku gjatë kontrollit ndaj 34-vjeçares u gjetën dhe u sekuestruan një pistoletë me karikator që përmbante 15 fishekë, dy paketime me sasi të vogla kokaine dhe një telefon celular për të cilin ishte raportuar vjedhja.
Nga hetimet e mëtejshme, autoritetet greke konstatuan gjithashtu se dy të arrestuarit nuk dispononin dokumentet përkatëse për qëndrimin e ligjshëm në Greqi.
Në ngarkim të tyre është formuar dosja për shkelje të legjislacionit për armët, narkotikët dhe të huajt, si dhe për mosbindje ndaj policisë dhe drejtim të rrezikshëm të automjetit.
Dy shqiptarët do të dërgohen përpara autoriteteve gjyqësore kompetente, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë.
© SYRI.net