Muli me mesazhe lufte nga Tanzania

9 Tetor 2026, 19:30Antena TEMA

Muli u bë xheloz dje, ndërsa ndiqte nga Tanzania seancën në Kuvendin e Shqipërisë. Meqë Belua i kishte premtuar se do ta merrte në një udhëtim jashtë shtetit, më në fund rasti kishte ardhur. Meqë Belua kishte siguruar disa ftesa për një kongres në Tanzani, mendoi të merrte me vete edhe Mulin dhe Palokën.

– Sa larg është Tanzania? – i tha Muli.

– Është ca larg, por, meqë për në SHBA s’merr dot vizë, këtu ke rast të bësh një udhëtim të gjatë me avion, – i tha Belua.

– Po çfarë gjuhe flitet? – i tha Muli.

– Kanë një gjuhë të tyre, por flasin edhe anglisht, – i tha Belua. – Anglishten e flasin keq, kështu që mos ça kokë.

– Po kështu, kafshë të egra do të shikojmë?

– Patjetër, – i tha Belua. – Për atë punë e kanë lënë Kongresin atje.

Dhe kështu u bind.

Në mbrëmje, ndërsa po bëhej gati të flinte, shikonte në internet Gaz Bardhin duke qëlluar me shishe uji mbi podium dhe filloi të bërtiste:

– Bjeri Ramës! Bjeri Belës! Bjeri Ballës! Bjeri Maznikut!…

Belua u shqetësua nga dhoma tjetër dhe hyri i trembur.

– Fole gjë? – i tha.

– Jo, mo, po shikoj seancën dhe po i dërgoj mesazhe zanore Bardhit. Por nuk e di sa vonojnë të shkojnë, se jemi larg këtu.

– Shkojnë, shkojnë, – tha Belua. – Po fli tani, se mbaroi. Ti po e shikon me vonesë.

Sot në mëngjes, kur u çua dhe u mor vesh se ai mungonte në seancë, sepse kishte shkuar në safari, u ndie keq.

– Kushedi sa më gjykojnë demokratët, – i tha Belos.

– Bëj një postim sikur je atje, – tha Belua. – Ja, të pyesim Klevisin se cili polic i ka qëlluar dhe kërcëno policin.

Pas pak, Klevisi i nisi fotografinë e një polici dhe Muli e postoi, për të treguar:

– Kur të vijmë në pushtet, këtë policin mos e harroni!

Komentuesi i parë kishte shkruar poshtë postimit:

– Po pse e rrit kot në detyrë, mo burrë? Se, sa të vijmë ne në pushtet, ky ka dalë në pension.

Lini një Përgjigje