Presidenti i dorëhequr i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka sulmuar ashpër bashkimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës për zgjedhjet parlamentare. Në një intervistë për median Informer në Beograd, ai e quan këtë zhvillim si vepër të “armiqve të Serbisë”.
“Tani për zgjedhjet, partitë shqiptare janë të bashkuara për herë të parë, sepse i bashkoi jo vetëm Kurti, por edhe të tjerë nga jashtë. Për herë të parë, të gjithë shkojnë së bashku, e vunë më të keqin dhe më të ligun midis tyre, Shaip Kamberin, në krye të listës. I bashkuan të tre partitë për të filluar çështjen e të ashtuquajturës Luginë të Preshevës dhe mendojnë se po e ngrenë atë përmes këtij mercenari të tyre, Joe Wilson. Është pikërisht ai për të cilin N1 dhe studentët e rremë këtu janë krenarë, një mercenar klasik i shqiptarëve si Menendez. Ata do të kalojnë përmes tij, atje do të pranohen nga ambasadorë të ndryshëm. Po përpiqem shumë dhe nuk do t’i lejoj ta bëjnë këtë”, deklaroi Aleksandër Vuçiç.
Ai tregoi se kush është më i preferuari nga ndërkombëtarët mes tij dhe Edi Ramës.
“Arsyeja e parë ishte se duhej shkatërruar Open Ballkan, sepse Ballkani nuk duhet t’u përkasë këtyre popujve. Edi Rama nuk është sipas qejfit të tyre, është tepër i pavarur. Ata e kanë më për zemër atë sesa mua. Unë jam krejtësisht i pavarur, ndaj njerëz të tillë nuk më duan aspak, megjithëse më respektojnë. Më shumë u pëlqejnë ata në Mal të Zi. Ku bëjnë këta një shenjë, ata hidhen menjëherë për ta zbatuar”, tha Vuçiç.














