Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar me shqetësim të madh pas vrasjes së një gruaje në Gjilan, e cila dyshohet se u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj. Sipas dyshimeve, në këtë ngjarje humbi jetën edhe vëllai i saj, ndërsa një person tjetër u plagos.
Të lidhura
None found
Dy viktimat, një burrë dhe një grua rreth 30-vjeçarë, dyshohet se u vranë me armë zjarri të premten në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit. Nga incidenti mbeti i plagosur edhe një person tjetër.
RrGK ka deklaruar se asnjë mosmarrëveshje apo konflikt i mëparshëm nuk mund të përdoret si arsyetim për vrasjen e një gruaje. Organizata kërkon që rasti të hetohet në mënyrë të plotë dhe personi përgjegjës të përballet me drejtësinë.
“Dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, ndaj së cilës institucionet duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe pa vonesa”, thuhet në reagimin e RrGK-së.
Rrjeti i Grave të Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve dhe shoqërisë që të angazhohen në mënyrë të vazhdueshme, duke ndërmarrë masa konkrete për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e sigurisë së grave.
Gjithashtu, RrGK ka njoftuar se viktimave të dhunës me bazë gjinore u ofron këshillim ligjor falas.







