
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Ervin Salianjit për shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që e dënuan me një vit burg për kallëzim të rremë në dosjen “Babale”.
Në njoftimin e saj, Gjykata bën të ditur se çështja u shqyrtua në seancë plenare, mbi bazë të dokumenteve, më 29 shtator 2026, ndërsa vendimmarrja u mor më 9 tetor.
Gjatë shqyrtimit, Kushtetuesja analizoi pretendimet e Salianjit në lidhje me lirinë e shprehjes, ushtrimin e mandatit parlamentar dhe të drejtën për një proces të rregullt ligjor.
Me shumicë votash, Gjykata vlerësoi se dënimi penal përbën ndërhyrje në lirinë e shprehjes, por arriti në përfundimin se kjo ndërhyrje ishte e parashikuar nga ligji, ndiqte një qëllim legjitim dhe ishte proporcionale me qëllimet e synuara.
Në arsyetimin e saj, Gjykata iu referua edhe jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar rëndësinë e lirisë së shprehjes për deputetët, por edhe faktin se kjo e drejtë nuk është e pakufizuar, veçanërisht kur informacioni nuk jepet në mirëbesim dhe pa garanci për saktësinë e tij.
Gjithashtu, pretendimet e tjera të Salianjit për shkelje të së drejtës për proces të rregullt ligjor u vlerësuan të pabazuara nga shumica e gjyqtarëve.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës, duke lënë në fuqi vendimet e mëparshme të gjykatave. Vendimi i arsyetuar do të publikohet brenda afateve ligjore.
Ervin Salianji u dënua me një vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me dosjen “Babale”. Dënimi u la në fuqi nga Gjykata e Apelit në shtator 2024 dhe më pas nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në mars 2025./Versus.al

