Nëse po mendon të blesh një xhaketë të re për vjeshtën, moda e këtij sezoni po sjell një alternativë më klasike dhe elegante: xhaketat pa jakë. Ky model po fiton vëmendje në Paris dhe New York, ndërsa xhaketat me jakë të lartë, të njohura si funnel neck, po lënë vend për silueta më të thjeshta.
Xhaketat pa jakë nuk janë një shpikje e re. Ato janë pjesë e historisë së modës prej dekadash, sidomos falë kostumeve klasike prej tweed-i. Por këtë sezon po rikthehen në forma më moderne, me prerje të shkurtra, materiale lëkure dhe ngjyra të ndryshme. Në pasarelat e Paris Fashion Week, stilistë si Matthieu Blazy dhe Alessandro Michele prezantuan interpretime të reja të këtij modeli.
Një nga avantazhet më të mëdha është se xhaketa pa jakë kombinohet lehtësisht me veshjet që kemi tashmë. Mund të vishet me xhinse dhe një bluzë të thjeshtë për përditshmëri, ose me fund dhe pantallona elegante për në zyrë.
Modelet prej tweed-i krijojnë një pamje më klasike, ndërsa versionet prej lëkure i japin të njëjtit stil një karakter më modern. Për këtë vjeshtë, duket se eleganca po kthehet te xhaketat e thjeshta që mund t’i veshësh pothuajse me gjithçka.