Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vendosin sanksione gjithëpërfshirëse ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit. Sipas Uashingtonit, masat synojnë të kufizojnë ndjeshëm veprimtarinë e institucionit me seli në Hagë, duke ndërprerë transaksionet dhe burimet e tij financiare.
“Masat do të ndalojnë transaksionet me gjykatën me seli në Hagë, do t’i ndërpresin burimet financiare dhe do ta kufizojnë rëndë aftësinë e saj për të funksionuar”, thuhet në deklaratën e publikuar nga DASH.
Në të njëjtin njoftim, administrata amerikane thekson kundërshtimin e saj ndaj juridiksionit të gjykatës mbi shtetasit amerikanë.
“Presidenti Trump nuk do të lejojë kurrë që Gjykata Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht shtetasit amerikanë”, thuhet në deklaratë, ku GJPN-ja cilësohet nga Uashingtoni si një “gjykatë që vepron jashtë kontrollit”.
SHBA-ja nuk është palë në Statutin e Romës, dokumentin themelues të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, dhe kundërshton juridiksionin e saj mbi shtetasit, personelin ushtarak dhe drejtuesit politikë amerikanë. Më herët, administratat amerikane kanë vendosur sanksione ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të veçantë të gjykatës, e cila shqyrton çështje që lidhen me krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin.
Sipas Departamentit të Shtetit, vendosja e sanksioneve ndaj vetë institucionit ishte shtyrë me shpresën se Gjykata Penale Ndërkombëtare ose shtetet anëtare të saj do të merrnin masa për të adresuar shqetësimet e Uashingtonit. Megjithatë, DASH pretendon se nuk janë ndërmarrë hapa domethënës në këtë drejtim.
Pavarësisht masave, administrata amerikane deklaron se mbetet e hapur për një zgjidhje diplomatike, por paralajmëron se mund të ndërmarrë veprime të tjera nëse nuk ndryshon qëndrimi i gjykatës.
“Ose ICC-ja do t’i japë fund kërcënimeve të saj ose ne do t’i japim fund asaj”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se, në të kundërt, SHBA-ja do të vijojë përpjekjet për çmontimin e institucionit “tullë pas tulle”.
#SHBA #DASH #DonaldTrump #GJPN #GjykataPenaleNdërkombëtare #Hagë #Sanksione


