Travel

Të kalosh natën në një kështjellë si në filma/ Këto hotele po kthejnë fantazinë në pushime të vërteta!

Të flesh në një kështjellë me mure guri, korridore historike dhe dhoma madhështore nuk është më një eksperiencë që i përket vetëm filmave.

Revista ELLE ka publikuar më 9 tetor një përzgjedhje me nëntë kështjella ku turistët mund të rezervojnë qëndrimin e tyre, duke marrë frymëzim nga atmosfera misterioze e reality show-t The Traitors.

Mes destinacioneve të përzgjedhura janë prona historike në Skoci, Irlandë dhe vende të tjera, ku arkitektura tradicionale kombinohet me shërbimet e hoteleve luksoze.

Një nga vendet e përmendura është Matfen Hall, një pronë madhështore në Angli, e rrethuar nga kopshte dhe hapësira të gjelbra. Ajo ofron një eksperiencë që ndryshon nga qëndrimi në një hotel tradicional.

Interesi për këto destinacione lidhet edhe me dëshirën e udhëtarëve për eksperienca më të veçanta. Në vend të një dhome hoteli që mund të ngjajë me qindra të tjera, një kështjellë ofron histori, arkitekturë dhe një atmosferë që bëhet pjesë e vetë udhëtimit.

Për shumë vizitorë, këto vende janë një mundësi për të përjetuar nga afër një mënyrë jetese që zakonisht e shohin vetëm në seriale dhe filma. Nëse dikur kështjellat i vizitonim vetëm gjatë ditës, tani mund të rezervojmë një dhomë dhe të ndihemi si personazhe të një filmi.