
Në ditën e 132-të të revoltës, qytetarët janë mbledhur sërish këtë të premte para Kryeministrisë ku kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.
Aktivistja Vatnikaj ka kundërshtuar reformën territoriale, duke akuzuar PS se e miratoi atë sipas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, pavarësisht protestave të banorëve në 15 bashki.
Gjatë fjalës së saj, Vatnikaj deklaroi se parlamenti nuk përfaqëson më interesat dhe shqetësimet e qytetarëve, ndërsa kërkoi dorëheqjen e kryeministrit dhe kabinetit të tij.
“Ky parlament nuk na përfaqëson më as interesat tona e as shqetësimet tona, por vepron sipas urdhrave të Edi Ramës. Reforma territoriale u votua për turp nga PS sipas urdhrit të Ramës, pavarësisht se banorët e 15 bashkive kanë protestuar”, u shpreh ajo.
Aktivistja pretendoi se reforma nuk sjell vetëm shkrirjen e 15 bashkive, por edhe përqendrimin e pushtetit në pak duar. Ajo theksoi se kundërshtarët e kësaj nisme nuk do të tërhiqen përballë presionit apo shantazheve.
Vatnikaj ngriti gjithashtu shqetësimin për dy protestues, të cilët, sipas saj, ndodhen ende në burg pasi kanë goditur me vezë makinën e kryeministrit Edi Rama.
“Dy protestues që kanë goditur me vezë makinën e Edi Ramës janë në burg akoma. Ndërkohë që ne kemi kërkesa, ata ushtrojnë dhunë policore”, deklaroi aktivistja.
Në përfundim të fjalës së saj, Vatnikaj përsëriti thirrjen për largimin e kryeministrit dhe qeverisë, duke paralajmëruar se kundërshtimi ndaj reformës territoriale do të vijojë./Versus.al

