Shqipëria ka marrë miratimin paraprak nga Bashkimi Europian për mbylljen e përkohshme të negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me “Ndërmarrjet dhe Politikën Industriale”. Ky zhvillim përbën një tjetër hap në procesin e integrimit europian të vendit.
Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të BE-së (COREPER) ka miratuar zhvillimin e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE, e parashikuar për më 13 tetor në Luksemburg. Në këtë takim pritet të formalizohet përparimi i Shqipërisë drejt mbylljes së përkohshme të këtij kapitulli.
Kryeministri Edi Rama e ka përshëndetur vendimin përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar si një sinjal pozitiv për investimet, inovacionin, konkurrueshmërinë dhe punësimin.
“Drita jeshile nga BE për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, deklaroi Rama.
Edhe Kryeministria thekson se Shqipëria mbetet e angazhuar për të vijuar reformat në bashkëpunim me institucionet europiane dhe shtetet anëtare.
Kapitulli 20 përfshin politikat dhe instrumentet që synojnë krijimin e një mjedisi më konkurrues dhe inovativ për biznesin. Në fokus janë mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përmirësimi i klimës së investimeve dhe forcimi i aftësisë së ekonomisë shqiptare për t’u integruar në Tregun e Vetëm Europian.
Ky kapitull përfshin gjithashtu masa për inovacionin, digjitalizimin, tranzicionin e gjelbër, zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe rritjen e produktivitetit të sektorit privat, në përputhje me politikat dhe praktikat europiane.
Mbyllja e përkohshme e negociatave do të konfirmojë përparimin e Shqipërisë në përafrimin e kuadrit strategjik, institucional dhe rregullator për politikat industriale dhe zhvillimin e sipërmarrjes me orientimet e Bashkimit Europian.
Sipas njoftimit, ky hap pritet të përcjellë një sinjal për investitorët, komunitetin e biznesit dhe partnerët ndërkombëtarë, ndërsa për qytetarët dhe sipërmarrjet shqiptare synon të krijojë perspektiva më të mira për investime, rritje ekonomike dhe punësim.
Me formalizimin e pritshëm më 13 tetor, Kapitulli 20 do të bëhet kapitulli i katërt që Shqipëria mbyll përkohësisht brenda tre muajve. Vendimi shpreh gjithashtu mbështetjen politike për ecurinë e vendit në negociatat e anëtarësimit dhe synimin për të avancuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.


