Autoritetet serbe u kanë ndaluar hyrjen në Serbi tri deputeteve të Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, Fatmire Mullhaxha Kollçaku dhe Liza Gashi, të cilat po udhëtonin drejt Preshevës për t’i shprehur ngushëllimet kryetares së kësaj komune, Ardita Sinani, pas vdekjes së babait të saj.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sinani, sipas së cilës deputetet shoqëroheshin nga ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, si dhe nga Ragmi Mustafi, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti për Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin.
Sipas saj, delegacioni është mbajtur për disa orë në pikëkalimin kufitar në Depcë, ku më pas është njoftuar se nuk do t’i lejohej hyrja në Preshevë.
Pas këtij vendimi, Sinani ka shkuar së bashku me vëllezërit dhe familjarët e saj në territorin e Kosovës, ku është takuar me delegacionin dhe ka pranuar ngushëllimet.
Në një reagim në Facebook, kryetarja e Preshevës ka kritikuar autoritetet serbe, duke i akuzuar se kanë përfshirë politikën edhe në një vizitë me karakter personal dhe human.
“Pavarësisht se të njëjtit nuk kishin paraparë vizitë zyrtare në Preshevë, por vizita e tyre ishte për qëllime personale, aq më shumë ishte për qëllime humane e për të ruajtur një traditë tonën të përhershme për të ngushëlluar të afërmit në raste të vdekjes, Serbia vendosi paturpësisht ta përfshijë politikën edhe në këtë rast”, ka shkruar Sinani.
Ajo ka bërë të ditur se deputetet i kanë përcjellë edhe ngushëllimet e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Sinani e ka cilësuar rastin si diskriminues, duke theksuar se, sipas saj, politika serbe po ndërhyn edhe në situata kur vizitat kanë për qëllim shprehjen e solidaritetit njerëzor dhe ndarjen e dhimbjes me familjarët.
“Edhe në rrethana gati të pamundura nuk do t’ia dalin të ndajnë as koordinimin politik, e aq më pak lidhjen tonë shpirtërore”, ka deklaruar ajo.
Në përfundim të reagimit, kryetarja e Preshevës ka falënderuar tri deputetet dhe ambasadorin Jetish Jashari për gatishmërinë për të qenë pranë saj dhe familjes në këtë periudhë zie.


