Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar nga Fieri se riorganizimi i pushtetit vendor do të jetë një nga vendimet e para të opozitës nëse merr drejtimin e vendit. Ai kundërshtoi reformën e miratuar në Kuvend, duke premtuar rikthimin e qeverisjes vendore në komunitetet që plotësojnë kriteret përkatëse.
Sipas Berishës, ndryshimi i hartës territoriale do të jetë pjesë e një politike më të gjerë për të frenuar shpopullimin dhe për të nxitur rikthimin e banorëve në zonat e tyre. Kreu i PD-së akuzoi qeverinë se politikat e saj kanë sjellë efekt të kundërt, duke nxitur largimin e njerëzve nga vendi.
Sa i përket mundësisë për t'u bërë kryeministër, ai nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por deklaroi se synimi i PD-së është të vijë në pushtet dhe të ndërmarrë një proces ripërtëritjeje të Shqipërisë.
“Absolutisht. Do të jetë një nga aktet më të para. Ne do të rikthejmë qeverisjen vendore në të gjitha zonat dhe të gjitha komunitetet që plotësojnë kriteret më minimale”, u shpreh Berisha për Reformën Territoriale.
Për votimin në Kuvend, ai deklaroi: “Ata dje treguan veten pa karakter. Kanë bërë pazare gjithë ditën me njëri-tjetrin e në fund shkuan e votuan me 85 vota një akt që do të mbetet historia më e turpshme në historinë e parlamentit”.
