Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për shfuqizimin e vendimeve gjyqësore që e dënuan me një vit burg për çështjen “Babale”. Sipas vendimit të shpallur këtë të premte, procesi gjyqësor ndaj tij nuk ka cenuar Kushtetutën.
Në shqyrtimin e çështjes, Kushtetuesja është ndalur te respektimi i së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe te liria e shprehjes. Për aspektin e parë, gjykata ka vlerësuar se procedurat e ndjekura ndaj Salianjit kanë qenë të rregullta.
Sa i përket lirisë së shprehjes, gjykata pranon se vendimi i Gjykatës së Apelit ka sjellë ndërhyrje në këtë të drejtë, por vlerëson se ndërhyrja ka pasur një qëllim legjitim.
Ervin Salianji u dënua në shtator të vitit 2024 me një vit burg, pasi u shpall fajtor për kallëzim të rremë në lidhje me dosjen “Babale”. Ish-deputeti iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të mëparshme, me argumentin se ato binin ndesh me Kushtetutën dhe kishin prapavijë politike.
Në kohën kur paraqiti kërkesën, Salianji po vuante dënimin në burgun e Fierit. Ai e përfundoi dënimin vitin e kaluar, por çështja pati pasoja edhe në karrierën e tij politike, duke i kushtuar mandatin e deputetit.
Gjatë shqyrtimit të kërkesës, më 29 shtator, Salianji kishte shprehur bindjen se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte atë. Pas vendimit të fundit, ai ka paralajmëruar se do ta çojë çështjen në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.


