Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se ka arritur një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin për lirimin e sasive të mëdha të naftës ruse në tregun ndërkombëtar, me synimin për të ulur çmimet e karburanteve.
Sipas Trump, Rusia do të hedhë menjëherë në treg 300 mijë tonë naftë dizel, të ndjekura nga 500 mijë tonë të tjera në nëntor dhe një milion tonë të tjera në vijim.
‘Çmimet e naftës dizel për amerikanët dhe, në fakt, për të gjithë botën, do të bien me shifra rekord dhe shpejt!’, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Njoftimi vjen në një kohë kur çmimet e naftës dizel në Shtetet e Bashkuara janë dyfishuar që nga nisja e luftës me Iranin në shkurt, duke shtuar presionin ndaj republikanëve përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, në një klimë shqetësimi për rritjen e kostos së jetesës.
Sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Automobilave (AAA), çmimi mesatar i naftës dizel në SHBA është aktualisht 6,28 dollarë për galon, nga niveli rekord prej 6,53 dollarësh i regjistruar në fund të shtatorit.
Menjëherë pas njoftimit të Trump, Departamenti amerikan i Thesarit lëshoi zyrtarisht një licencë të përkohshme që lejon futjen e naftës dizel ruse në treg. I dërguari i Putinit, Kirill Dmitriev, përshëndeti marrëveshjen në rrjetet sociale, duke deklaruar se bashkëpunimi ruso-amerikan në fushën e naftës dizel dhe energjisë do të jetë në dobi të botës.
Marrëveshja është pjesë e përpjekjeve të fundit të administratës Trump për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve. Në fillim të kësaj jave, presidenti amerikan tha se po shqyrtonte mundësinë e pezullimit të taksës federale mbi benzinën. Ai njoftoi gjithashtu se do të lejonte përdorimin në autostradat amerikane të naftës dizel të ngjyrosur me të kuqe, e cila zakonisht përjashtohet nga taksa federale, pa penalitete tatimore.
Trump ka ushtruar gjithashtu presion ndaj vendeve të G7-s për të nxjerrë nga rezervat strategjike 100 milionë fuçi naftë dhe dizel, në përpjekje për të lehtësuar shqetësimet mbi furnizimin. Më herët, ai kishte mbështetur edhe thirrjet për ndalimin e eksporteve amerikane të naftës dizel.
© SYRI.net