AKTUALITET /

Mashtrimi me ofertat e punës online, vajza nga Durrësi humbi 376 euro për printerin që nuk mbërriti

Përtej humbjes financiare, Lori thotë se shqetësimi më i madh është përdorimi i mundshëm i të dhënave të saj personale

Shkruar nga Versus

Mashtrimi me ofertat e punës online, vajza nga Durrësi humbi 376 euro

Një ofertë për të punuar nga shtëpia i ka kushtuar 376 euro një vajze nga Durrësi, e cila pretendon se është mashtruar nga një skemë që përdorte njoftime të rreme punësimi në internet.

Historia nisi më 19 gusht 2026, kur u publikua një njoftim për punë pranë kompanisë së pretenduar franceze “Easy Flyers”. Oferta premtonte punë nga shtëpia, 3-4 orë në ditë, me detyrën për të printuar fletushka reklamuese.

Lori nga Durrësi vendosi të aplikonte, por përpjekja për të siguruar një vend pune përfundoi me humbjen e parave dhe ekspozimin e të dhënave të saj personale.

Sipas dëshmisë së Lorit, ajo u orientua nga 18-vjeçari Kristjani nga Shkodra, i cili kishte publikuar njoftimin në internet, drejt një numri telefoni francez. Aty komunikoi me një grua që prezantohej si Korica dhe pretendonte se ishte përgjegjëse për rekrutimin.

Fillimisht, komunikimi iu duk serioz. Gruaja i dërgoi detajet e punës, kontratën dhe një video të printerit që do t'i vinte në dispozicion.

Por për të nisur punën, Lorit iu kërkua të paguante 126 euro. Paratë u dërguan më 22 gusht, përmes një kompanie transfertash, në emër të një personi që pretendohej se ishte noter i kompanisë.

Pas nënshkrimit të kontratës, ajo u përball me një tjetër kërkesë financiare: 250 euro shtesë, që dokumenti të konsiderohej i vlefshëm. Pasi mori garanci se kjo do të ishte pagesa e fundit, Lori dërgoi edhe shumën e dytë. Në total, ajo pagoi 376 euro.

Megjithatë, printeri nuk mbërriti. Fillimisht iu tha se kishte vonesa për shkak të ngarkesës, ndërsa më vonë iu kërkuan edhe 500 euro të tjera. Në këtë pikë, ajo dyshoi se bëhej fjalë për mashtrim.

Lori kontaktoi sërish Kristjanin, duke i kërkuar shpjegime për njoftimin që kishte publikuar. I riu pranoi se kishte publikuar oferta pune në platformën “MerrJep”, por pretendoi se edhe ai ishte rekrutuar për këtë aktivitet dhe nuk kishte marrë ende pagesën e premtuar.

Sipas tij, ai kishte punuar rreth 10 ditë duke publikuar njoftime, pa e kuptuar fillimisht se mund të bëhej fjalë për një skemë mashtrimi. Ai tha se e ndërpreu aktivitetin pasi një shoqe e paralajmëroi se njoftimet mund të ishin të rreme.

Kristjani pretendon se komunikonte vetëm përmes mesazheve me personin që e kishte rekrutuar dhe se nuk kishte marrë para nga aplikantët.

Nga ana tjetër, gruaja që prezantohej si Korica mohon të ketë mashtruar Lorin. Ajo pretendon se edhe vetë kishte aplikuar për një punë online dhe se të dhënat e saj personale, përfshirë fotografinë dhe kartën e identitetit, mund të jenë përdorur nga persona të tjerë pa dijeninë e saj.

Sipas saj, edhe ajo kishte dërguar para gjatë procesit të aplikimit, por e kishte ndërprerë procedurën pasi ishte paralajmëruar nga kompania e transfertave për një mashtrim të mundshëm. Korica këmbëngul se nuk ka marrë asnjë nga paratë e dërguara nga Lori.

Përtej humbjes financiare, Lori thotë se shqetësimi më i madh është përdorimi i mundshëm i të dhënave të saj personale. Ajo pretendon se gjatë aplikimit ka dërguar kartën e identitetit, numrin e telefonit, adresën e banimit dhe dokumente të tjera, përfshirë fatura të energjisë elektrike dhe ujit.

Ndërsa Lori dyshon se pas skemës qëndron gruaja me të cilën komunikoi, Korica pretendon se edhe identiteti i saj është përdorur nga mashtruesit. Deri në këtë fazë, të dyja palët paraqesin versione të ndryshme për atë që ka ndodhur.

Rasti nxjerr në pah rrezikun e ofertave të rreme të punësimit online, ku aplikantët orientohen drejt personave të tjerë dhe u kërkohen pagesa paraprake për kontrata, pajisje apo dokumentacion./Piranjat

 

Poll