BOTA /

Trump firmos marrëveshjen me Putin, Rusia do të furnizojë botën me 300 mijë ton naftë

Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se në një periudhë të shkurtër mund të furnizohen tregjet edhe me 3 milionë tonë të tjera, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse.

Shkruar nga Versus

Trump firmos marrëveshjen me Putin, Rusia do të furnizojë

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Rusia ka rënë dakord të furnizojë tregun amerikan dhe atë global me naftë diesel, me synimin për të ulur çmimet e karburanteve.

Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump bëri të ditur se dërgesat do të nisin menjëherë me më shumë se 300 mijë tonë naftë diesel. Sipas tij, në nëntor do të dërgohen edhe 500 mijë tonë të tjera, të ndjekura nga 1 milion tonë shtesë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se në një periudhë të shkurtër mund të furnizohen tregjet edhe me 3 milionë tonë të tjera, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse.

Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje mbi mënyrën se si do të realizohet marrëveshja dhe nëse sasitë e njoftuara do të mbërrijnë në tregjet ndërkombëtare.

Sektori energjetik rus i nënshtrohet sanksioneve të gjera ndërkombëtare që prej pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Ndërkohë, infrastruktura energjetike ruse është përballur me sulme të përsëritura nga forcat ukrainase.

Trump pretendoi se furnizimet ruse, së bashku me atë që ai e cilësoi si “kontroll total” të SHBA-së mbi Ngushticën e Hormuzit, do të ndikojnë në uljen e ndjeshme të çmimeve të naftës diesel.

Ngushtica e Hormuzit, pranë brigjeve të Iranit, është një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe produkteve energjetike. Ndërprerjet e qarkullimit në këtë korridor strategjik mund të ndikojnë në furnizimin dhe çmimet në tregjet ndërkombëtare.

“Çmimet më të ulëta për amerikanët, veçanërisht për fermerët, blegtorët dhe transportuesit tanë, janë përparësia ime më e madhe”, shkroi Trump.

Megjithatë, mbetet e paqartë se si do të zbatohet marrëveshja e njoftuar dhe çfarë ndikimi konkret do të ketë ajo në çmimet e karburanteve./Versus.al

Poll