Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka sulmuar bashkimin e partive shqiptare në Luginën e Preshevës për zgjedhjet parlamentare, duke e cilësuar këtë zhvillim si një veprim të “armiqve të Serbisë”. Në një intervistë për median serbe Informer, ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe aktorë të huaj se kanë ndikuar në bashkimin e partive shqiptare.
“Tani për zgjedhjet, partitë shqiptare janë të bashkuara për herë të parë, sepse i bashkoi jo vetëm Kurti, por edhe të tjerë nga jashtë. Për herë të parë, të gjithë shkojnë së bashku, e vunë më të keqin dhe më të ligun midis tyre, Shaip Kamberin, në krye të listës. I bashkuan të tre partitë për të filluar çështjen e të ashtuquajturës Luginë të Preshevës dhe mendojnë se po e ngrenë atë përmes këtij mercenari të tyre, Joe Wilson. Është pikërisht ai për të cilin N1 dhe studentët e rremë këtu janë krenarë, një mercenar klasik i shqiptarëve si Menendez. Ata do të kalojnë përmes tij, atje do të pranohen nga ambasadorë të ndryshëm. Po përpiqem shumë dhe nuk do t’i lejoj ta bëjnë këtë”, deklaroi Vuçiç.
Gjatë intervistës, presidenti serb komentoi edhe marrëdhëniet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, duke përmendur nismën “Ballkani i Hapur” dhe protestat e njohura si “Revolucioni Flamingo”. Vuçiç pretendoi se Rama gëzon më shumë mbështetje nga ndërkombëtarët sesa ai vetë, për shkak të qëndrimeve të tij politike.
“Arsyeja e parë ishte se duhej shkatërruar Open Ballkan, sepse Ballkani nuk duhet t’u përkasë këtyre popujve. Edi Rama nuk është sipas qejfit të tyre, është tepër i pavarur. Ata e kanë më për zemër atë sesa mua. Unë jam krejtësisht i pavarur, ndaj njerëz të tillë nuk më duan aspak, megjithëse më respektojnë. Më shumë u pëlqejnë ata në Mal të Zi. Ku bëjnë këta një shenjë, ata hidhen menjëherë për ta zbatuar”, tha Vuçiç.
Në të njëjtën intervistë, ai akuzoi Kroacinë se po kërkon të ndërhyjë në çështjet e Vojvodinës, rajon autonom brenda Serbisë. Vuçiç foli gjithashtu për situatën e sigurisë në Ballkan, duke përsëritur pretendimin se vendet e rajonit po armatosen.
Gjatë bisedës, presidenti serb e krahasoi disa herë veten me ish-udhëheqësin e Serbisë, Sllobodan Millosheviç, i cili ishte në pushtet gjatë luftërave të viteve 1990 në ish-Jugosllavi dhe regjimit të të cilit i janë atribuar krime të rënda lufte.
Deklaratat e Vuçiçit vijnë në një periudhë kur përfaqësimi politik i shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe çështjet e tyre kombëtare vijojnë të jenë pjesë e debatit politik në rajon.


