Për 4 puntata me radhë, që mbajnë datat 27 shkurt, 6 mars, 20 mars dhe 27 mars 2026, trajtuam dhe hodhëm dritë mbi historinë e dy familjeve nga veriu i Shqipërisë, ajo Marku nga Vau i Dejës dhe Peci nga Bushati i Shkodrës.
Personi që denoncoi tek ne duke pretenduar një padrejtësi të madhe që i ishte bërë atij dhe familjes, ishte 42-vjeçari, Leonard Marku. Ai na tregoi historinë e martesës me ish-bashkëshorten Gjovana Peci, ardhjen në jetë të binjakëve dhe jetesën e tyre në Itali së bashku me vajzën e madhe të Leonardit, e ardhur në jetë nga një histori dashurie e mëparshme e 42-vjeçarit.
Mirëpo gjërat për këtë familje me 5 anëtarë, nuk do të shkonin aspak mirë. Nga muaji shtator 2020 deri në gushtin e vitit 2024, do të ndodhnin shumë episode që në fund do të përmbylleshin më datë 12 me një denoncim të Gjovanës në Policinë e Vaut të Dejës. Akuza ndaj bashkëshortit ishte dhuna fizike dhe psikologjike ndaj saj.
Më datë 15 gusht 2024, Leonardit iu caktua masa “arrest shtëpie”, ndërsa më datë 17 nëntor 2025, u dënua nga Gjykata e Shkodrës me 2 vite e 6 muaj burg, për veprën penale “dhunë në familje”.
Ky vendim i gjyqtares Elona Mërtiri erdhi pas kërkesës së prokurores Albulena Kuliçi, për dënimin e Leonardit me 3 vite burg, për veprën penale “dhuna në familje”.Nga ana tjetër Leonardi nuk mohon vetëm faktin se gjithçka ka ndodhur në mënyrë të përsëritur apo në sy të fëmijëve, por mohon tërësisht akuzat për dhunë ndaj bashkëshortes.
Për të marrë disa përgjigje nga gjyqtarja e çështjes zonja Elona Mërtiri, këtë të fundit e pritëm disa herë jashtë gjykatës së Shkodrës, por ajo nuk denjoi të ballafaqohej, ndaj na u desh të ktheheshim në Tiranë, ku e arritëm në një parking nëntokësor të një pallati. Sapo pa gazetarin Freard Rista, gjykatësja ndezi makinën dhe u largua me nxitim. Në dalje të parkingut, ajo tentoi të frikësonte gazetarin duke thënë: ”Do të të padis për përndjekje”.
Kaq përgjigje morëm nga gjyqtarja Mërtiri, por një përgjigje më shteruese për ngjarjen e morëm nga Gjykata e Apelit të Tiranës më datë 15 qershor 2026, ku trupa gjykuese me në krye zonjën Irena Brahimi ndryshoi vendimin e Shkodrës. Në vend të nenit 130/a/4 Leonardit iu ngarkua neni 130/a/1, vetëm dhuna psikologjike pasi nuk u vërtetua që ishte e përsëritur apo në sy të fëmijëve. Ditën e vendimit Leonardi kishte bërë 1 vit e gjysmë burg kështu që automatikisht fitoi lirinë e munguar, rrjedhimisht duke fituar edhe një betejë sado të vogël me prokuroren Albulena Kuliçi dhe gjyqtaren Elona Mërtiri.
Megjithatë, nëse për Leonardin seancat gjyqësore sapo mbaruan, për “Piranjat” sapo nisën, jo nga gjyqtarja Mërtiri, por nga familja Peci.Të përfaqësuar nga avokatja Anxhela Nasi, familja Peci na paditi me pretendimin se gjatë investigimeve tona kemi shkelur ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe kemi cënuar privatësinë. Në pikën 5 të objektit të padisë, paraqitet kërkesa për marrjen e masës së “sigurimit të padisë” duke urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të ripublikimit të materialeve audiovizive dhe heqjen e menjëhershme të tyre. Më datë 20 prill 2026 u zhvillua seanca e parë, ku gjyqtarja Blerina Muço rrëzoi kërkesën e palës paditëse për “sigurimin e padisë”.
Në pikën 1 të objektit të padisë, thuhet se është konstatuar cënimi i jetës private dhe familjare të paditësve përmes identifikimit të personave si dhe përpunimi i të dhënave personale të tyre.
Ky konstatim është në kundërshtim 100% me vetë palën paditësesepse materiali i parë investigativ i publikuar nga emisioni “Piranjat është bërë më datë 27 shkurt 2026, ndërsa dy ditë më parë, më datë 25 shkurt 2026, vetë shtetësja Gjovana Peci, ka qënë në rolin e rrëfimtares dhe të intervistuarës në emisionin “Me zemër të hapur”, në TV News 24. Mbrojtja e paditësve argumenton se Gjovana nuk është vetëidentifikuar në atë emision, por vetëm ka ndarë historinë dhe përjetimet e saj. Në fakt Gjovana Peci dhe familja e saj janë vetë-identifikuar përpara se të publikoheshin materiale në emisionin “Piranjat”. Vetë-identifikimin e plotë shtetësja Gjovana Peci e ka bërë duke replikuar me komentuesit me adresë që mban emrin dhe mbiemrin e saj të saktë, me komente agresive dhe fyese ndaj tyre, në kanalin youtube të këtij emisioni. Madje në ato komente përdor edhe fjalë apo akuza të rënda ndaj ish-bashkëshortit duke rënduar pozicionin e tij dhe duke e denigruar publikisht.
Që në nisje të emisionit e deri në fund, vërehet se shtetësja Gjovana Peci është intervistuar me kurriz, por zëri i saj është origjinal, i pandryshuar dhe lehtësisht i dallueshëm për komunitetin lokal ku ajo apo familja e saj jeton. Më pas, moderatorja e emisionit me detajet që jep, bën identifikimin e tërthortë jo vetëm të shtetases Gjovana Peci, por edhe të ish-bashkëshortit të saj Leonard Marku. Të gjitha këto janë të dhëna të tërthorta që bëjnë të mundur identifikimin e Leonardit, Gjovanës dhe rrjedhimisht dy familjeve, pa harruar zonjën Edlira Bylo, avokaten e Gjovanës, e cila nuk pyet fare për identifikim të tërthortë, por e identifikon haptazi klienten e saj duke i përmenduar emrin në transmetim LIVE.
Një tjetër puntatë është zhvilluar më datë 12 mars. Vijimi i kësaj historie po në emisionin “Me zemër të hapur”. Në këtë episod, babai i Gjovanës gjatë fjalëve të tij përmend edhe emra të personave të përfshirë në histori. Në këtë puntatë publikohet pa efektin blur, pjesa më e madhe e fytyrës së Gjovana Pecit, duke e identifikuar atë. Gjithashtu, pas nisjes së publikimit të materialeve investiguese nga emisioni “Piranjat”, ka qënë vetë Gjovana Peci e cila me një adresë reale me emrin dhe mbiemrin e saj real, replikon ashpër me komentuesit, duke i fyer dhe kërcënuar ata.
Kjo histori që kemi investiguar, lidhet drejtpërdrejt me abuzimin me detyrën, pasi personat përgjegjës për dënimin e 42-vjeçarit, babait të tre fëmijëve, ushtrojnë veprimtari publike dhe kanë në dorë jetën e njerëzve me vendimarrjet e tyre. Informacioni që kemi transmetuar ndikon drejtpërdrejt tek publiku, pasi lidhet me shëndetin, sigurinë, lirinë dhe ekonominë e qytetarëve.
© SYRI.net
(EMRAT) U kapën me 36 kg marijuanë në Greqi, identifikohen shqiptarët
Masakra e Vakëfit - Rrëmbimi, torturat dhe ekzekutimi barbar! Misteri i krimit që tronditi Beratin në 1997! Kush janë vrasësit?
Piranjat/ Mashtrimi online me vendet e punës: Si një ofertë për të punuar nga shtëpia i kushtoi vajzës nga Durrësi 376 euro