Rreth 30 mijë shishe verë të cilësisë së lartë, me një vlerë të përllogaritur prej 5 milionë eurosh, janë vjedhur në kantinën e kompanisë së njohur italiane “Marchesi Antinori”, në Cortona, në provincën e Arezzos, në rajonin e Toskanës.
Sipas mediave italiane, grabitja konsiderohet ndër më të mëdhatë e këtij lloji në Itali. Mes verërave të vjedhura janë disa prej etiketave më të njohura të kompanisë, përfshirë Solaia, Tignanello dhe Guado al Tasso, të prodhimit të vitit 2023. Rreth 10 mijë shishe i përkasin markës Solaia.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë natës së së dielës, më 4 tetor. Sipas rindërtimit paraprak, të paktën shtatë persona kanë vepruar në grup, duke çaktivizuar sistemin e alarmit dhe duke nxjerrë jashtë funksionit kamerat e sigurisë përpara se të hynin në ambientet e kantinës me dy kamionë.
Për të ngarkuar sasinë e madhe të shisheve, autorët kanë përdorur edhe pajisjet ngritëse të kompanisë. Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit konstatuan se ngarkesa e verërave mungonte.
Administratori i përgjithshëm i kompanisë, Renzo Cotarella, e përshkroi grupin si të mirëorganizuar. Ai nuk përjashtoi mundësinë që të njëjtët persona të jenë përfshirë edhe në grabitje të tjera të kantinave italiane gjatë muajve të fundit.
Sipas kompanisë, vlera e lartë dhe prodhimi i kufizuar i disa prej verërave të vjedhura mund ta vështirësojnë shitjen e tyre pa ngjallur dyshime. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për etiketat prestigjioze, të cilat kanë një treg të identifikueshëm dhe shpërndahen përmes kanaleve të caktuara të shitjes.
“Marchesi Antinori” ka nisur të informojë klientët në mbarë botën për grabitjen, duke u kërkuar të tregojnë kujdes ndaj ofertave që paraqiten jashtë kanaleve zyrtare. Kompania paralajmëron se shishet e ofruara në këto rrethana mund t’i përkasin ngarkesës së vjedhur.
Ndërkohë, autoritetet italiane po vijojnë hetimet për identifikimin e autorëve dhe gjurmimin e verërave. Deri tani, sipas informacionit të publikuar, nuk është bërë e ditur nëse është rikuperuar ndonjë pjesë e mallit të grabitur.


