UEFA ka vendosur sanksione financiare dhe masa disiplinore ndaj federatave të futbollit të Kosovës, Kroacisë dhe Serbisë, për shkelje të konstatuara gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve. Ndëshkimi më i rëndë i është dhënë Serbisë, e cila do të zhvillojë ndeshjen e ardhshme në shtëpi pa praninë e tifozëve.
Federata e Futbollit e Kosovës është gjobitur me 35 mijë euro. Sipas vendimit disiplinor, 15 mijë euro janë vendosur për shfaqjen e një mesazhi të papërshtatshëm për një aktivitet sportiv, ndërsa 20 mijë euro të tjera lidhen me sjelljen raciste dhe diskriminuese të tifozëve gjatë humbjes 3-1 ndaj Austrisë.
Përveç gjobës, Kosova është ndëshkuar edhe me ndalimin e shitjes së biletave për një ndeshje jashtë fushe në kompeticionet e UEFA-s. Megjithatë, kjo masë është pezulluar për dy vjet dhe do të zbatohet në rast të përsëritjes së shkeljeve përkatëse gjatë kësaj periudhe.
Edhe Kroacia është ndëshkuar për sjelljen e tifozëve të saj. Federata Kroate e Futbollit duhet të paguajë një gjobë prej 20 mijë eurosh, pas incidenteve me natyrë raciste dhe diskriminuese gjatë humbjes 4-1 ndaj Spanjës.
Ashtu si në rastin e Kosovës, edhe ndaj Kroacisë është vendosur ndalimi i shitjes së biletave për një ndeshje jashtë fushe, por masa është pezulluar për dy vjet.
Serbia, sanksionet më të rënda
Federata Serbe e Futbollit është urdhëruar që ndeshjen e ardhshme në shtëpi ta zhvillojë pa spektatorë. Masa lidhet me sjelljen raciste dhe diskriminuese të tifozëve gjatë ndeshjeve kundër Greqisë dhe Holandës.
Për këto shkelje, federata është gjobitur me 50 mijë euro. Kësaj shume i shtohen edhe 20 mijë euro për shfaqjen e një mesazhi të papërshtatshëm për një aktivitet sportiv.
Vendimet e UEFA-s përfshijnë kështu gjoba financiare, kufizime për shitjen e biletave dhe zhvillimin e ndeshjeve pa tifozë, në kuadër të masave disiplinore ndaj sjelljeve raciste dhe diskriminuese në stadiume.


