E shtunë, 10 Tetor 2026 Udhëtimet Mahnitëse deri në 08:30 Në vijim ora 09:00: Mes'dritë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Marrëveshja Trump-Putin për naftën, Zelensky i revoltuar: Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe

Presidenti rus Vladimir Putin i ka shprehur homologut amerikan Donald Trump gatishmërinë e Moskës për të furnizuar me naftë dhe produkte naftës tregjet amerikane dhe ato ndërkombëtare, në një kohë kur kriza energjetike ka rritur ndjeshëm çmimet e karburanteve. Pas një bisede telefonike të premten, më 9 tetor, Trump njoftoi se Rusia do të dërgojë menjëherë më shumë se 300 mijë tonë naftë dizel, ndërsa në vijim parashikohen furnizime të tjera prej qindra mijëra deri në miliona tonë.

Sipas njoftimit të presidentit amerikan, dërgesat do të vijojnë me 500 mijë tonë në nëntor, një milion tonë të tjerë më pas dhe deri në tre milionë tonë shtesë, në varësi të gjendjes së rafinerive ruse. Trump pretendoi se rritja e ofertës do të ndihmojë në uljen e shpejtë të çmimeve të karburanteve, të cilat në SHBA janë rritur ndjeshëm për shkak të krizës së shkaktuar nga lufta me Iranin. Ai mbrojti marrëveshjen duke theksuar se tregjet ndërkombëtare kanë nevojë për furnizime shtesë me energji.

Reklamë

Marrëveshja ka shkaktuar reagimin e ashpër të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili paralajmëroi se të ardhurat shtesë nga shitja e naftës mund t’i japin Moskës më shumë burime financiare për të vazhduar luftën në Ukrainë. “Dhuratat për Putinin nuk do të sjellin paqe dhe as ndonjë përfitim për botën e qytetëruar”, deklaroi Zelensky, duke kritikuar vendimin e Uashingtonit për të lehtësuar furnizimet ruse me produkte nafte.

Zelensky reagim

Reklamë

Kreu i shtetit ukrainas e cilësoi marrëveshjen si një vendim të dobët të partnerëve të fuqishëm dhe paralajmëroi se lejimi i Rusisë për të shitur karburante rrezikon të zgjasë konfliktin. Sipas tij, të ardhurat nga këto eksporte mund të përdoren për financimin e operacioneve ushtarake, ndërsa ajo që nevojitet është ulje e vërtetë dhe e ndërsjellë e tensioneve me Moskën. “Rusia do ta shpërblejë këtë naftë dizel me më shumë terror dhe mashtrim”, u shpreh Zelensky.

Duke iu përgjigjur kritikave të presidentit ukrainas, Trump mbrojti qëndrimin e administratës së tij, duke argumentuar se furnizimi me karburante është i nevojshëm për tregjet botërore. “Ne jemi një partner i fortë. Na duhet naftë për të gjithë botën”, deklaroi ai. Ndërkohë, vendimi amerikan është shoqëruar me një lehtësim të përkohshëm të kufizimeve për transaksionet me naftën dizel ruse, përmes një autorizimi të Departamentit të Thesarit, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin që kjo lëvizje mund të ketë në presionin ekonomik ndaj Moskës dhe në ecurinë e luftës në Ukrainë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.