Bota

Katie Zacharia, zëdhënësja e re e Shtëpisë së Bardhë (profili)

Presidenti amerikan Donald Trump ka zgjedhur komentatoren konservatore, Katie Zacharia si sekretaren e ardhshme të shtypit të Shtëpisë së Bardhë.

Zacharia, e cila aktualisht punon pranë kompanisë Trump Media&Technology Group, do të bëhet zëdhënësja e gjashtë kryesore e Trumpit në dy mandatet e tij presidenciale.

Më herët, ka shërbyer për një periudhë të shkurtër si zëdhënëse në Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS).

Në një postim të publikuar të premten në rrjetin e tij social Truth Social, Trump e cilësoi Zacharian si një person “besnik” dhe “mbështetëse të përkushtuar të lëvizjes MAGA” (Make America Great Again), duke theksuar se ajo ka një histori të pastër mbështetjeje ndaj tij.

Ish-sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e cila u largua nga detyra në muajin gusht, raportohet se ka nisur punë në televizionin Fox News.

Ajo ka qenë e përfshirë më parë në fushatat e mia elektorale, duke ndihmuar në shtetet kyçe të garës, ku ne fituam shtatë nga shtatë. Jam i bindur se Katie do të arrijë rezultate të shkëlqyera për vendin tonë si sekretarja e ardhshme e shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Gëzon respektin e medias, të popullit amerikan dhe të administratës sime dhe do të bëjë një punë të jashtëzakonshme.

BBC shkruan se 42-vjeçarja është një figurë e njohur në mediat konservatore Newsmax dhe Fox News.

Zacharia ka qenë aktive në politikën republikane gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj, duke punuar fillimisht si praktikante në Komitetin Kombëtar Republikan dhe në Zyrën e Çështjeve Politike të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së George W.Bush, në vitin 2006.

E diplomuar për drejtësi në Universitetin Pepperdine në Kaliforni, Zacharia ka shërbyer edhe si këshilltare ligjore për organizatën konservatore jofitimprurëse Fix California, e themeluar nga aleati i Trumpit dhe i dërguari i tij aktual për misione speciale, Grenell.

Në vitin 2011, kaloi gati dy vjet në Pekin të Kinës, ku punoi si juriste praktikante në një firmë ligjore.