Trajnimi në vendin e punës mund t’u japë punonjësve aftësi të dobishme. Mund të ndihmojë gjithashtu në shmangien e problemeve ligjore dhe në përmbushjen e kërkesave të pajtueshmërisë me rregullat.
Por mund të jetë edhe një mënyrë shumë e thjeshtë për të provuar udhëtimin në kohë. Mjafton të shikoni një video trajnimi të një kompanie për të ndier sikur ora po kthehet pas.
Së pari, dhe kjo është më e dukshmja, disa prej këtyre videove janë xhiruar para se ju të kishit lindur, për tema aq të përhershme sa nuk është parë kurrë e nevojshme të përditësohen. Pamjet janë të turbullta dhe me cilësi të dobët.
Burrat mbajnë kravata dhe gratë funde me pala. Personazhet kanë emra si Rodney dhe Carol. Askush nuk ka tatuazhe dhe askush nuk shfaq në punë të gjithë personalitetin e tij, siç e kërkon zhargoni i sotëm i kompanive.
Nëse do të vuanin nga ndonjë sëmundje, nuk do të ishte një problem i shëndetit mendor, por diçka nga e kaluara e largët, si tuberkulozi apo skrofuloza.
Disa video trajnimi mund të jenë prodhuar kohët e fundit, por përsëri duken jashtëzakonisht të vjetruara.
Arsyeja është se realizohen me kosto të ulët, me aktorë të dobët që nuk arrijnë të gjejnë punë tjetër dhe me porosinë që videot të mund të përdoren për sa më gjatë. Për këtë arsye, shmanget çdo gjë që mund të duket tepër bashkëkohore.
Shikoni, për shembull, një video për ngacmimin në vendin e punës dhe ka shumë gjasa të shihni burra me jelekë fosforeshentë që bëjnë sikur i bërtasin njëri-tjetrit, ndërsa narratori paralajmëron se “lojërat e pakontrolluara” mund të dalin jashtë kontrollit.
Lojëra të pakontrolluara? Më pas ju thuhet se ngacmimi mund t’i bëjë njerëzit të ndihen të izoluar, ndërkohë që në ekran shfaqet dikush i ulur në një ekskavator, duke u dukur… i izoluar. Interpretimi është aq i dobët, sa duket krejtësisht amator.
Së dyti, një pjesë e mirë e materialeve të trajnimit trajtojnë tema për të cilat vështirë se nevojitet ndonjë trajnim. Të shikosh disa video të kompanive do të thotë të trajtohesh si një fëmijë veçanërisht i ngathët, ose, më saktë, si dikush që edhe një fëmijë jo fort të zgjuar do ta konsideronte budalla.
Ka kurse online që flasin për rastet kur dikush rrëshqet, pengohet dhe rrëzohet në vendin e punës dhe në fund do të pyesni veten se si ka mundur njerëzimi të mbijetojë kaq gjatë…
Kurset mund të përmbajnë paralajmërime për gjethet e lagura dhe për rreziqet që lindin kur kalon nga jashtë brenda një ndërtese. Ka edhe momente të posaçme për të reflektuar thellë mbi pyetje të tilla si: “Cilat janë gjërat më të zakonshme mbi të cilat rrëshqitni ose pengoheni gjatë një dite të zakonshme?”.
Dhe, natyrisht, nuk mungonin zbulimet e jashtëzakonshme. Rezulton se rrëshqitjet mund të shmangen duke fshirë shputat e këpucëve në një tapet kur hyni në një ndërtesë.
Së treti, shumë video trajnimi mbështeten fort te teknikat e shkollës fillore. Kur nuk jeni duke parë aktorë që luajnë në mënyrë mekanike, ju shfaqin filma vizatimorë. Herë pas here, pyetje me alternativa testojnë se sa keni kuptuar.
Kursi për rrëshqitjet, pengimet dhe rrëzimet, për shembull, paraqet një kamerier që nuk kishte vënë re se “tapeti dekorativ në hyrje të zonës së ngrënies nuk ngjitej më mirë pas dyshemesë”. Këmba i ishte kapur në skajin e tapetit, ishte penguar, por kishte arritur të rifitonte ekuilibrin. Çfarë lloj incidenti kishte përjetuar: rrëshqitje, pengim apo rrëzim?
Është e vështirë të imagjinohet një situatë më pak dramatike sesa ajo e një kamerieri që pengohet, por arrin të mos rrëzohet. Megjithatë, mënyra se si është ndërtuar trajnimi arrin të zgjojë tek ju entuziazmin e një fëmije.
Nëse i përgjigjeni saktë një pyetjeje me alternativa, ka të ngjarë të shpërbleheni me një stemë ose një yll të artë. Nëse merrni rezultatin maksimal në të gjithë testin, ekrani mbushet me konfeti dhe në fund ju jepet edhe një certifikatë që mund ta shkarkoni. Nëse nuk e përfundoni kursin, do t’ju “raportojnë te mësuesit”.
Trajtojeni audiencën sikur të ishte e përbërë nga fëmijë dhe sjellja e saj do të rikthehet te zakonet fëmijërore. Mund të jeni pranë pensionit, por përsëri ndieni një kënaqësi të vogël kur fitoni një yll të artë.
Papritur bëheni jashtëzakonisht krenarë për certifikatën tuaj për rrëshqitjet, pengimet dhe rrëzimet dhe e varni në murin e hapësirës suaj të punës. Pastaj filloni të pyesni veten nëse mund të ndiqni edhe kursin për përdorimin e shkallëve portative dhe buzëqeshni me vete për këtë ambicie të papritur.
Por ju dorëzoheni edhe para tundimit për të bërë hile. Nisni një video trajnimi për sigurinë kibernetike, që shpjegon si të shmangni phishing-un, smishing-un dhe quishing-un, mashtrimet përmes email-eve, mesazheve telefonike dhe kodeve QR, dhe i kushtoni vëmendje vetëm kur ju kërkohet të shtypni butonin “Tjetra”.
Nëse nuk ka ndëshkim për përgjigjet e gabuara në testin me alternativa, thjesht e anashkaloni trajnimin dhe kaloni drejtpërdrejt te testi. Klikoni kuturu derisa ta kaloni me rezultat të shkëlqyer dhe të merrni certifikatën për phishing, smishing dhe quishing.
Është tamam si në shkollë: në fund keni një dëshmi në dorë, por thuajse asgjë nuk ju ka mbetur në mendje. Dhe pikërisht për këtë arsye, kur largoheni nga zyra atë mbrëmje, nuk arrini të vini re se një koleg e ka mbuluar hyrjen e ndërtesës me gjethe të lagura, thjesht si një shaka të pamenduar./Monitor