Nga Pablo Palomo, LA NUEVA ESPANA
Ata kishin ardhur nga Shqipëria për t’u vendosur në Gijon të Spanjës, me qëllim që të nisnin fushatën e vjedhjeve duke shfrytëzuar ndryshimin e orës. Përdornin targa të dyfishta, kishin para në dollarë, kishin kryer tashmë disa vjedhje dhe madje merrnin me qira apartamente që paraqiteshin si banesa për pushime, për të mos tërhequr vëmendjen.
Këto janë disa nga hollësitë e operacionit të madh të përbashkët të Gardës Civile dhe Policisë Kombëtare, i cili javën e kaluar përfundoi me arrestimin e tre personave në rrugën Maestro Amado Morán, në lagjen La Calzada. Dy prej tyre kishin qenë dikur pjesë e bandës së rrezikshme të njohur si “banda e Mercedesit”.
Me këtë ndërhyrje, Garda Civile dhe Policia Kombëtare besojnë se kanë vendosur pengesa të mëdha për sezonin e vjedhjeve, madje përpara se ai të fillonte.
Hollësitë e operacionit u bënë të ditura nga të dyja strukturat e policisë. Sipas shpjegimeve të tyre, ato kishin marrë informacion për praninë e një grupi që lëvizte nga një vend në tjetrin në rajonin e Asturias, pasi gjatë dy javëve të para të korrikut ishin kryer nëntë vjedhje me forcë në banesa të shpërndara në të gjithë rajonin.
Dihej se grupi përdorte dy automjete tip veturë. Njërin, me targa të dyfishta, për të kryer vjedhjet, dhe tjetrin me të gjitha dokumentet në rregull, për të mos ngjallur dyshime gjatë lëvizjeve nëpër principatën e Asturias.
Garda Civile dhe Policia Kombëtare shpjegojnë se këto grupe veprojnë sipas një mënyre të qartë: mbërrijnë në një rajon, kryejnë sa më shumë vjedhje që të munden dhe shpesh vendosen për disa ditë në banesa turistike, në mënyrë që të mos tërheqin vëmendjen.
Në këtë rast, grupi kishte marrë më parë me qira një banesë në një zonë administrative në Gijon. Banesa u ishte dhënë me qira nga një grua me origjinë latinoamerikane, e cila ishte e regjistruar si banore në një qendër sociale në Barcelonë. Në atë qendër figuronin të regjistruar 5.000 persona, ndaj hetimi nuk mundi të përparonte më tej në këtë drejtim.
Gjithçka ndryshoi gjatë gjysmës së dytë të shtatorit. Autoritetet morën informacion se gruaja me origjinë latinoamerikane kishte dhënë me qira një banesë disa personave në La Calzada. Kontrata ishte lidhur vetëm për nëntë ditë. Kjo bëri që të organizohej një operacion diskret, për të mos i alarmuar të dyshuarit dhe për të ndjekur këtë pistë të mundshme hetimore.
Instinkti i hetuesve u shpërblye, pasi ata arritën të vëzhgonin se si në banesën në rrugën Maestro Amado Morán mbërritën dy persona me një Mercedes-Benz, të cilëve iu bashkuan edhe dy të tjerë. Të gjithë ishin nga Evropa Lindore dhe me shtetësi shqiptare.
Vëzhgimi bëri të mundur zbulimin se ata përdornin një qendër të madhe tregtare shumë pranë banesës së tyre, konkretisht qendrën tregtare të La Calzada-s, e cila ndodhej matanë rrugës, për të blerë vegla pune dhe doreza. Gjithçka tregonte, sipas hetuesve, se ata po përgatiteshin për sezonin e vjedhjeve.
Hetimi vazhdoi dhe u përcaktua se Mercedes-Benz-i ishte përdorur për të kryer vjedhje në zonat Ceares dhe Viesques. Atje, autorët kishin hyrë me forcë në dy banesa dhe kishin marrë para dhe bizhuteri.
Në këto rrethana, më 1 tetor u krye ndërhyrja për arrestimin e tyre. Efektivët e Gardës Civile dhe të Policisë Kombëtare rrethuan rrugën Maestro Amado Morán dhe arrestuan tre burra, përkatësisht 29, 31 dhe 38 vjeç.
Gjatë arrestimit, njëri prej tyre bëri rezistencë dhe një efektiv i Policisë Kombëtare mbeti i plagosur. Të tre janë paraqitur tashmë para autoriteteve gjyqësore dhe ndodhen në paraburgim në burgun e Asturias.
© SYRI.net