AKTUALITET, 10 October 2026, 10:11

VIDEO/ Kontrabandonin dhe modifikonin makineta të lojërave të fatit me programe ilegale, arrestohen dy persona në Tiranë (EMRAT)

VIDEO/ Kontrabandonin dhe modifikonin makineta të lojërave të

Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se kontrabandonin dhe modifikonin makineta të lojërave të fatit me programe ilegale, për t’ua shitur më pas organizatorëve të aktiviteteve të paligjshme të lojërave të fatit.

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Interceptimi”, pas një hetimi pesëmujor, gjatë të cilit u zbulua se kjo veprimtari zhvillohej në një magazinë të marrë me qira në zonën e Kodrës së Priftit.

Në pranga kanë rënë Admirim Spaho dhe Sami Koni, të dyshuar për përfshirje në këtë aktivitet. Sipas Policisë, ata dyshohet se sillnin makineta nga shtetet fqinje dhe i modifikonin përmes programeve elektronike të vjedhura dhe ndërhyrjeve elektromagnetike, në përputhje me kërkesat e personave të përfshirë në organizimin e lojërave të fatit.

Gjatë operacionit, u sekuestruan 25 makineta (slot machine), 4 telefona celularë, 2 laptopë dhe 1 njësi kompjuterike.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet si rezultat i një hetimi 5-mujor, me metoda proaktive, operacioni i koduar “Interceptimi”. 

Zbulohet se në një magazinë te Kodra e Priftit, modifikoheshin me programe ilegale, makineta të kontrabanduara, të cilat iu shiteshin organizatorëve të lojërave të fatit.

Arrestohen organizatori i kësaj veprimtarie në ambientin e marrë me qira, si dhe bashkëpunëtori i tij.

Sekuestrohen 25 makineta (slot machine), 4 celularë, 2 laptopë dhe 1 njësi kompjuterike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit të koduar “Interceptimi”, arrestuan shtetasit A. S., 53 vjeç dhe S. K., 67 vjeç.

Si rezultat i një pune të thelluar hetimore, aplikimit të metodave speciale të hetimit, si dhe monitorimit dhe interceptimit të valëve elektronike, u konstatua se shtetasi A. S. kishte marrë me qira, një magazinë, në zonën e quajtur “Kodra e Priftit”, ku në bashkëpunim me shtetasin S. K., dyshohet se kontrabandonte makineta nga shtetet fqinje, të cilat nëpërmjet programeve elektronike të vjedhura dhe ndërhyrjeve elektromagnetike, programoheshin sipas kërkesave të shtetasve/subjekteve të interesuara, të përfshira në organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Hetimi vijon për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast kriminal.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.