Film & Tv

Netflix surprizon fansat e “Bridgerton”, ja se çfarë duhet të dini!

Netflix ka konfirmuar një projekt të ri në universin e serialit të famshëm “Bridgerton”, këtë herë të përqendruar te një prej personazheve më të dashur për publikun. Bëhet fjalë për Lady Violet Bridgerton, matriarkën e familjes, historia e së cilës do të rrëfehet përmes një seriali të ri që do të zbulojë më shumë për të kaluarën dhe historinë e saj të dashurisë. Seriali i ri do të rikthehet në vitet e hershme të jetës së Violet, duke sjellë në ekran romancën e saj me Viscount Edmund Bridgerton. Kështu, fansat do të kenë mundësinë të zbulojnë se si nisi historia e dashurisë mes dy personazheve, përpara ngjarjeve që shohim në serialin kryesor.

Pas suksesit të “Queen Charlotte: A Bridgerton Story”, ky do të jetë projekti i dytë spin-off në universin e “Bridgerton”. Pas tij qëndron sërish Shonda Rhimes, producentja ekzekutive e serialit, e cila do të jetë bashkëshkruese, drejtuese kreative dhe producente ekzekutive e projektit, së bashku me Nicholas Nardini. Në serialin kryesor, rolin e Lady Violet e interpreton aktorja Ruth Gemmell, ndërsa versioni i saj më i ri u soll në ekran nga Connie Jenkins-Greig në “Queen Charlotte”. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse aktorja do të rikthehet për të portretizuar Violet në këtë projekt të ri.

Ndërkohë, fansat e “Bridgerton” kanë edhe një tjetër arsye për t’u emocionuar. Xhirimet e sezonit të pestë kanë nisur dhe këtë herë historia do të përqendrohet te Francesca Bridgerton, e interpretuar nga Hannah Dodd, dhe romanca e saj me Michaela, personazhin që luhet nga Masali Baduza. Historia do të zhvillohet pas rikthimit të Michaela-s në Londër, ku ajo kthehet për t’u kujdesur për pronat e familjes Kilmartin. Ky rikthim do ta vendosë Francescën përballë ndjenjave të saj dhe dilemës mes zgjedhjeve praktike dhe dëshirave të zemrës.

Sezoni më i fundit i serialit u përqendrua te Benedict Bridgerton, i luajtur nga Luke Thompson, dhe historia e tij e dashurisë me Sophie Baek, të interpretuar nga Yerin Ha. Ndërsa sezoni i tretë solli në qendër romancën mes Colin Bridgerton, personazhit të Luke Newton, dhe Penelope Featherington, të luajtur nga Nicola Coughlan. Pavarësisht se interesi për projektin e ri është i madh, Netflix nuk ka bërë ende të ditur datën e publikimit të serialit kushtuar Lady Violet.