
Me Kombëtaren të arkivuar, futbolli i klubeve rikthehet në plan të parë. Abissnet Superiore ngre siparin e javës së gjashtë këtë të shtunë, me dy përballje që mund të ndikojnë në ecurinë e skuadrave dhe në objektivat e tyre për vazhdimësinë e sezonit. Elbasani pret Vorën, ndërsa Teuta përballet me Skënderbeun në një sfidë ku pikët kanë peshë të veçantë për të dyja palët.
Në Elbasan Arena, në orën 18:30, Elbasani pret Vorën, me objektivin të shkurtojë diferencën me kreun sa më shpejt. Gvozdenovic po has vështirësi për ta bërë skuadrën fituese dhe 3 barazimet e një humbje e bëjnë Elbasanin të zbresë në fushë me detyrim-fitore. Verdheblutë shpresojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë për të marrë tre pikët, përballë një Vore që do të përpiqet të tregojë se mund të jetë konkurruese, gjë që nuk ka arritur ta shfaqë nga java e parë me fitoren ndaj Dinamos, duke regjistruar vetëm një pikë në katër ndeshjet e tjera. Për të dyja skuadrat, përtej lojës dhe paraqitjes, objektivi kryesor mbetet sigurimi i pikëve.
Në të njëjtën orë, në një tjetër përballje me rëndësi, Teuta kryesuese do të tentojë arratinë, kur të presë në Niko Dovana Skënderbeun. Durrsakët janë skuadra e vetme e pamundur në 5 javë, por vijnë gjithashtu edhe nga katër fitore radhazi, me Tetovën që nuk dëshiron të ndalet. Korçarët, në anën tjetër, udhëtojnë me synimin për të marrë një rezultat që do t’u jepte besim dhe pikë të vlefshme për vazhdimësinë e sezonit. Në një kampionat ku diferencat mund të ngushtohen shpejt, përballje të tilla janë një mundësi për të bërë hapa përpara, por edhe një rrezik për t’u larguar nga objektivat në rast dështimi. Java e gjashtë nis kështu me dy duele paralele, ku rëndësi nuk ka vetëm rezultati i menjëhershëm, por edhe mesazhi që secila skuadër do të përcjellë pas rikthimit nga pauza ndërkombëtare.
Abissnet Superiore, Java VI
Sot
18:30 AF Elbasani - Vora
18:30 Teuta - Skenderbeu
E dielë
13:30 Laci - KF Egnatia
18:30 Partizani - KF Tirana
18:30 Vllaznia - FC Dinamo