Stuhitë e fuqishme që goditën Italinë gjatë natës shkaktuan përmbytje të mëdha, dëme të konsiderueshme materiale dhe situata të rrezikshme për banorët, veçanërisht në jug të vendit. Reshjet intensive përmbytën banesa dhe rrugë, ndërsa rrjedhat e ujit morën me vete automjete dhe mbuluan disa zona me baltë e mbeturina.
Situata më problematike u regjistrua në ishullin Lipari, pjesë e arkipelagut të Ishujve Eolianë në provincën e Mesinës, si dhe në Melito Porto Salvo, në zonën e Reggio Calabrias.
Në portin Sottomonastero, në Lipari, disa automjete mbetën të bllokuara nga ujërat, ndërsa rrugët, përfshirë edhe ato në qendër të qytetit, u mbuluan nga balta dhe mbeturinat. Përrenjtë Ponte dhe Valle dolën nga shtrati, duke transportuar materiale drejt plazheve dhe detit.
Për shkak të situatës së krijuar, zjarrfikësit ndërhynë në disa zona, përfshirë edhe për të shpëtuar drejtues automjetesh të bllokuar nga përmbytjet.
Dëme të shumta u raportuan edhe në Melito Porto Salvo, ku stuhia la pas rrugë të përmbytura, baltë, mbeturina dhe dëmtime të konsiderueshme të infrastrukturës. Disa automjete përfunduan mes shkëmbinjve pranë detit, ndërsa një mur u shemb dhe disa akse rrugore u bënë të pakalueshme.
“Kemi përjetuar një bombë uji. Makinat përfunduan në det dhe mure u shembën. Nuk kemi rrugë”, deklaroi kryebashkiaku Tito Nastasi për agjencinë italiane të lajmeve ANSA.
Ai bëri të ditur se dëmet nuk ishin vlerësuar ende plotësisht dhe se kishte kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore për komunën.
Pas përmbytjeve, ekipet e Mbrojtjes Civile, zjarrfikësit dhe policia lokale u angazhuan për të monitoruar zonat e prekura dhe për të identifikuar rreziqet e mundshme.
Administrata e Melito Porto Salvos u bëri thirrje banorëve të kufizojnë lëvizjet dhe të dalin nga banesat vetëm kur është e domosdoshme, për shkak të rrugëve të dëmtuara, mbeturinave dhe rrezikut nga situata të tjera të rrezikshme.
Ndërkohë, në provincën e Tarantos, erërat e forta rrëzuan disa struktura ndriçimi të vendosura për festimet e Shën Mediçit, në zonën e Savës. Strukturat ranë mbi automjete të parkuara, duke shkaktuar dëme materiale, por fatmirësisht nuk u raportuan persona të lënduar.


