Opozita kërkon betejë në rrugë, por ku i kishte deputetët në votim kundër kryeministrit

Gazetari Basri Çollaku ka shkruar këtë status: “85 kundër 34, ku janë 21 vota?

E ashtuquajtura reforma territoriale kaloi me 85 vota.(Nga 83 vota të PS dhe 3 të PSD, vetëm një prej tyre mbetet të mos ketë qenë i pranishëm ose të mos e ketë shtypur butonin).

Abstenime nuk pati, por vetëm 34 vota kundër.

Swiss Digital Desktop Reklama

Duke patur parasysh se opozita ka në total 54 deputetë : 50 PD+ASHM

Swiss Digital Mobile Reklama

2 Mundësia, 1 Shqipëria Bëhet dhe 1 Bashkë, i bie që 20 deputetë të opozitës ose munguan, ose nuk shtypën butonin…

Pse?!”

Kjo “Pse?!” kërkon përgjigje nga opozita, në radhë të parë nga Sali Berisha dhe drejtuesit e PD-së. Sipas përllogaritjes së gazetarit, 21 deputetë nuk rezultojnë në votim, prej të cilëve 20 të opozitës. Ku ishin dhe përse nuk votuan?

Nuk bëhej fjalë për një seancë rutinë. Opozita e kishte shpallur reformën territoriale një betejë të madhe politike. Kishte bërë thirrje për protestë, kishte denoncuar projektligjin dhe kishte kërkuar mobilizimin e qytetarëve. Por kur erdhi çasti për të shtypur butonin, përse nuk u shfaq e plotë në votim?

Nuk mund t’i kërkosh qytetarit të dalë në rrugë, ndërsa deputeti shmang detyrën në sallë! Nuk mund të kërkosh sakrifica nga mbështetësit, ndërsa përfaqësuesit e tyre nuk japin as votën kundër. Ky është një hendek i rëndë mes fjalëve dhe veprimeve, që godet drejtpërdrejt besimin tek opozita.

Berisha duhet të kërkojë llogari me emra. Kush mungoi? Kush ishte i pranishëm dhe nuk votoi? Cilat mungesa kishin arsye dhe cilat ishin shmangie nga përgjegjësia? Një deklaratë e përgjithshme kundër Ramës nuk i përgjigjet asnjërës prej këtyre pyetjeve.

Mungesa në votim nuk është provë se deputetët kontrollohen nga kryeministri. Por heshtja e opozitës i jep terren dyshimit: a ka Rama ndikim edhe mbi sjelljen e disa deputetëve opozitarë në çastet vendimtare? Këtë pikëpyetje nuk e zhdukin britmat në televizion. E zhduk vetëm transparenca.

Nëse kundërshtimi ndaj reformës ishte çështje parimi, ai duhej të shprehej me votë. Nëse ishte betejë politike, deputetët duhej të ishin në vendin e betejës. Përndryshe, çfarë kuptimi kanë thirrjet për mobilizim, kur vetë opozita nuk mobilizon dot përfaqësuesit e saj?

Rama nuk ka nevojë ta mundë opozitën në çdo përballje, nëse ajo mungon vetë kur duhet të përballet. Dhe Berisha nuk mund të pretendojë se do të mobilizojë Shqipërinë për ndryshim, pa shpjeguar më parë përse opozita nuk ishte e plotë në një votim që vetë e shpalli vendimtar.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?