Berisha kundër reformës territoriale: Asgjësohen 15 bashki, do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kundërshtuar ashpër miratimin e reformës së re administrativo-territoriale, që parashikon uljen e numrit të bashkive në 46. Berisha e cilësoi vendimin të paligjshëm dhe në kundërshtim me interesat e qytetarëve, ndërsa paralajmëroi se PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar.
Berisha: Siç e patë, në një akt papërgjegjshmërie absolute, organizata kriminale e parlamentit shqiptar votoi jashtë çdo kondicioni ligjor dhe kushtetues, jashtë të gjitha parimeve ndërkombëtare të qeverisjes vendore, asgjësimin e 15 bashkive të vendit, të cilat shquheshin për performancën, për aktivitetin dhe interesin e tyre për qytetarët.
Kreu i PD-së akuzoi deputetët e mazhorancës se nuk kanë marrë parasysh interesat e banorëve të bashkive që do të shkrihen. Në deklaratën e tij, ai përmendi disa nga bashkitë që shkrihen, duke kundërshtuar mënyrën se si është ndërmarrë riorganizimi territorial.
Berisha: Me këtë veprim, të ashtuquajturit deputetë të partisë së krimit, dëshmuan para shqiptarëve dhe botës se për ata, interesat e qytetarëve të Libohovës, të Këlcyrës, të Memaliajt, të Divjakës, të Patosit, interesat e qytetarëve të Klosit, të Përrenjasit, Cërrikut, Dumresë, Fushë Arrëzit dhe të gjitha bashkive që u asgjësuan, janë zero.
Berisha e drejtoi kritikën edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se reforma synon përqendrimin e pushtetit vendor në një numër më të vogël bashkish për qëllime elektorale. Sipas tij, vendimi shpërfill Kushtetutën dhe parimet ndërkombëtare mbi të cilat duhet të funksionojë qeverisja vendore.
Berisha: Me këtë akt Padrinoja i Shqipërisë dëshmoi se Kushtetuta e vendit, por edhe parimet ndërkombëtare mbi të cilët ndërtohet qeverisja vendore, nuk kanë asnjë vlerë përveç interesave të tij për të përqendruar Shqipërinë për qëllime elektorale në një grup bashkish si asnjë vend tjetër në Evropë.
Duke folur për alternativën e Partisë Demokratike, Berisha deklaroi se opozita kishte propozuar një hartë me më shumë se 100 njësi vendore. Sipas tij, kjo ndarje do t’u përgjigjej më mirë problematikave të shpopullimit, ofrimit të shërbimeve për qytetarët dhe zhvillimit të territorit.
Berisha: Harta e qeverisjes vendore që paraqiti PD me 100 njësi plus, ishte harta më e studiuar, harta që jepte vërtet përgjigje shpopullimit masiv që po ndodh në Shqipëri. Harta që u jepte përgjigje shërbimeve të qytetarëve dhe mbi të gjitha politikave zhvillimore të vendit. Kjo hartë e tmerroi Edi Ramën dhe ai jo vetëm që nuk pranoi këtë hartë, por asgjësoi edhe 15 bashki të tjera.
Në përfundim, kreu i PD-së deklaroi se opozita do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kundërshtuar reformën. Megjithatë, ai shprehu mosbesim ndaj funksionimit të gjykatave dhe mundësisë së zhvillimit të referendumeve, duke i cilësuar institucionet si të ndikuara nga qeveria.
Berisha: PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, por paralajmëron të dashur qytetarë, se në narkoshtet rruga ligjore është falsitet. Se gjykatat janë notere të narkoqeverisë. Se referendumet, narkoqeveria nuk mund t’i lejojë kurrë. Megjithatë ne do përdorim çdo mjet ligjor kundër këtij akti.




