Milan Radoiçiç, i akuzuar për përfshirjen në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, është shfaqur në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), në Kragujevc, në Serbi.
Sipas televizionit serb N1, Radoiçiç është parë në shoqërinë e Danilo Vuçiçit, djalit të ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiç, në mesin e pjesëmarrësve në tubim. Lajmi është raportuar nga KosovaPress.
Radoiçiç ka marrë përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Ngjarja u shënua pas përplasjes së policisë me një grup të armatosur serb në veri të Kosovës.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar sulmin si terrorist, duke deklaruar se synimi ishte destabilizimi i vendit dhe aneksimi i pjesës veriore të territorit të saj.
Pavarësisht marrjes së përgjegjësisë për sulmin, Radoiçiç dhe persona të tjerë të akuzuar për këtë ngjarje vijojnë të jenë të lirë në Serbi. Radoiçiç u mor në pyetje në Beograd në vitin 2023, por më pas u la i lirë.
Në prill të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me burgim të përjetshëm Blagoje Spasojeviçin, ndërsa Vladimir Toliçin dhe Dushan Maksimoviçin i dënoi me nga 30 vjet burgim.
Tre të dënuarit janë në mesin e 42 personave të akuzuar për sulmin në Banjskë, mes të cilëve edhe Radoiçiçi.

