“Mbaje frymën” vjen në shqip, romani i Emilios Solomou prezantohet në Festivalin Letrar për të Rinj në Tiranë

10/10/2026 13:24

Një mëngjes, jeta e një mësuesi përmbyset. Një akuzë për ngacmim seksual ndaj një nxënëseje mjafton që ai të vihet përballë policisë, medias, opinionit publik dhe, mbi të gjitha, vetvetes.

Ndërsa përpiqet të rindërtojë atë që ka ndodhur, kufiri mes fajit dhe pafajësisë, kujtesës dhe harresës, realitetit dhe përfytyrimit bëhet gjithnjë e më i paqartë. Ky është romani “Mbaje frymën” i shkrimtarit qipriot Emilios Solomou, që u prezantua për lexuesin shqiptar mbrëmjen e kaluar.

“Gjen një nxënëse që i thotë që ta prekë. Ai nuk e prek por mendon çfarë do të ndodhte sikur vërtet ta bënte. Do i shkatërrohej karriera, familja, do përjashtohej nga shoqëria. Shoqëria i ngarkon patogjenezën e plagëve të saj. Është një fenomen që ndodh shpesh në të gjitha shoqëritë e sotme”, shprehet shkrimtari, Emilios Solomou.

Çfarë ndodhi dhe kush është viktima? Romani përpiqet ngacmon lexuesin për gjykimin, fajin dhe brishtësinë njerëzore, por edhe fuqinë e heshtjes. Një ngjarje e vetme hap plagë shumë më të vjetra. Vepra vjen në shqip nga përkthyesi Kristo Pulla.

“Është një temë që më kujtoii disa raste të ngjashme në vend dhe mendova që ky libër do ishte i vlefshëm edhe për lexueshin shqiptar që të ndërgjegjësohej për përballimin e rasteve të ngjashme”, tha përkthyesi, Kristo Pulla.

Romani u promovua në Festivalin Letrar për të Rinj që për tre ditë bëri bashkë në ambientet e Vilës 31 autorë ndërkombëtarë dhe zëra bashkëkohorë të letërsisë shqipe.

 

“Festivali shërbeu si një hapësirë takimi mes shkrimtarëve, lexuesve, përkthyesve, botuesve dhe publikut”, tha Irana Toçi, drejtuese e Festivalit për të Rinj.

Top Channel