Nga Boldnews.al
Disa vite më parë, kur kryeministër ishte Sali Berisha dhe Edi Rama ishte kryebashkiak i Tiranës, në një ditë shiu si kjo e sotmja, kryeqyteti shqiptar u përfshi në një kolaps total trafiku. Për më shumë se 6 orë, asnjë automjet nuk mund të lëvizte, qoftë edhe një metër, në rrugët e qytetit.
Falë qasjes së Berishës, pushteti lokal kishte kompetenca të rëndësishme në administrimin e bashkive. Në bazë të kësaj tolerance politike, Policia Bashkiake, si edhe agjenci të tjera lokale, kishin pushtet real në menaxhimin e punëve të qytetit. Dhe, Edi Rama e shfrytëzonte më së miri këtë liri.
Natyrisht, autonomia kishte edhe vështirësitë e saj. Si në rastin e asaj dite shiu, kur Policia e Shtetit, nën kontrollin e qeverisë së Berishës, nuk i dha ndihmë për shumë orë bashkiakëve të Ramës. Situata u zgjidh, por episodi ishte një rast tipik simbolik i autonomisë së pushtetit vendor.
Disa vite më pas, kur Rama mori pushtetin qendror, nisi të luajë fijet për të marrë nën kontroll edhe pushtetin lokal. Si një kryebashkiak për 11 vite, ai e njihte mirë peshën dhe fuqinë e qeverisjes vendore. Ai e dinte se, nëse bashkitë vijonin të mbanin autonominë e tyre, mund të përbënin në çdo kohë rrezik për pushtetin e tij qeveritar.
Në vitin 2015, me mbështetjen e partnerit politik të asaj kohe, Lëvizja Socialiste për Integrim, miratoi “Reformën Territoriale”, një mekanizëm që zhduku komunat, uli numrin e bashkive dhe forcoi pushtetin qendror në qeverisjen vendore.
Dëshmitë për këtë qasje janë mëse të dukshme. Falë mekanizmit të tij elektoral, të shumë-kritikuar dhe abuziv, socialistët e Ramës drejtojnë shumicën dërrmuese të bashkive. Faktikisht, ato kontrollohen nga zyra e kryeministrit.
Ai urdhëron kryebashkiakët për emërime apo shkarkime të stafit, i vendos në rresht kur ndonjëri prej tyre tenton të marrë disi pavarësi, i tall, i ofendon, i përkëdhel, i “dorëheq”, i kërcënon me burg, i bën ministra. Pra, nuk është as më shumë e as më pak se sa kryebashkiaku i Shqipërisë.
Ky njeri, me këtë pushtet, vendosi që në vitin 2026 të bëjë “Reformën Territoriale” të re. Për të treguar se nuk është autokrat, por një njeri politik, Rama fton edhe opozitën të bëhet pjesë e “dëgjesave publike”.
Përfaqësuesit opozitarë, që në krye të herës, e kishin të qartë se “Reforma Territoriale” ishte thjesht në “vizatim harte” dhe nuk sugjeroheshin aspak forcimin i kompetencave të pushtetit vendor.
E, megjithatë, u bë pjesë e farsave dëgjimore në bashki të ndryshme të vendit. Argumenti kryesor opozitar ishte: “Nuk mund të vetëpërjashtohemi nga diskutimi për Reformën Territoriale”.
Nga ana tjetër, me shumë mundësi kanë shpresuar ndonjë lloj tolerance nga Edi Rama që, në hartën e re territoriale, të krijoheshin hapësira për përfitim elektoral.
Një naivitet i pastër politik, i ngjashëm “mot a mo” me atë që tregonte më herët lidershipi opozitar i Lulzim Bashës. Edhe ai, më shumë se një herë, besoi në premtim-ofertat politike të Edi Ramës, i cili, në fund, e linte gjithnjë “me gisht në gojë”.
Tashmë, opozitarët, që në hapësirë kohore janë edhe paraardhësit, edhe pasardhësit e Bashës, kalojnë në të njëjtën trase politike.
Marrin pjesë në “dëgjesat publike” të Edi Ramës për Reformën Territoriale dhe, më pas, kur kryemnistri përdor 85 votat e tij në Parlament për të miratuar projektin e tij me 46 bashki, kërcejnë pupthi
Bëjnë zhurmë në Parlament, hedhin shishe e letra kundër kabinetit qeveritar, shpresojnë në mënyrën më naive të mundshme se socialistët, si Erion Braçe, Vullnet Sinaj, apo edhe Elisa Spiropali, do të shfaqen kundër Liderit të tyre Suprem dhe, në fund, ashtu si edhe Lul Basha më parë, pasi u bënë fasadë politike, mbeten me “gisht në gojë”.
Po me një naivitet politik, ndoshta kanë shpresuar dhe shpresojnë që banorët e 15 bashkive që “shkrihen” do të shprehin revoltën e tyre me votë kundër socialistëve.
Është naivitet, pasi qytetarët në Prrenjas, Divjakë, Këlcyrë, e të tjerë me radhë, do të ulin kokën para pushtetit, pasi pushteti i kontrollon punësimin. Në bashki të vogla, të lëna tërësisht në harresë dhe me resurse të kufizuara, mundësia e vetme e punësimit është administrata dhe degët e saj.
Pushteti i Ramës i ka të gjitha mundësitë që t’i kërcënojë me vendin e punës, me bukën e gojës dhe, nga ana tjetër, i ka të gjitha mundësitë që t’i joshë me mbajtjen ose dhënien e vendeve të punës qytetarëve të hidhëruar sot.
Opozita, falë numrave në Parlament, e ka shumë të qartë se maxhoranca e Edi Ramës mund të miratojë çdo lloj ligji të cilësuar me 84 vota. Opozita kishte mundësinë që, jashtë këtij procesi farsë, të fliste me qytetarët drejtëpërdrejtë, të paraqiste opsionin e saj dhe të tregonte se nuk mund të bëhej shtojcë e Ramës në “dëgjesat publike”.
Natyrisht, nuk do të arrinte asgjë politikisht. Por, të paktën, nuk do të shërbente si dekor.













